“Piratët e natës”, pranga 6 personave për vjedhje me armë në zonën e Marinzës

21/04/2015 00:00

Policia e Fierit njoftoi këtë të martë goditjen e një grupi që kryente vjedhje me armë, kryesisht në zonën e Marinzës në Fier.

Në një operacion të koduar me emrin “Piratët e natës”, janë arrestuar 6 persona, 2 të tjerë do të ndiqen në gjendje të lire, janë dokumentuar 10 vjedhje të ndodhura në zonën e Marinzës, ndërsa u sekuestruan armë zjarri e municione luftarake, bimë narkotikedhe shumë prej materialeve të vjedhura nga ky grup.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan: Artur Braçe, 28 vjeç, i dënuar më parë për rrahje me 7 muaj burg; Denis Hajdini, 19 vjeç; Kreshnik Braçe, 27 vjeç; Ilir Rama, 36 vjeç; Dervish Hyseni, 19 vjeç; Lavdimir Xhaferri, 34 vjeç; të gjithë banues në zonën Zharrëz-Velmish të Fierit. Ata akuzohen për vjedhje me armë, në bashkëpunim, kanosje, armëmbajtje pa leje dhe kultivim të bimëve narkotike.

Ndërsa do të ndiqen në gjendje të lirë: A. Ç., 60 vjeç, banues në fshatin Verbas-Fier, i vetëpunësuar në një pikë shitje skrapi, si dhe Artan Belulaj, 44 vjeç, banues në fshatin Zharrëz. Ata hetohen për përvetësim të parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra ose veprimtari kriminale.

Sipas policisë, këta persona, në bashkëpunim me njëri- tjetrin gjatë periudhës kohore tetor 2014-mars-2015, kryesisht në zonën naftëmbajtëse Marinëz-Zharrës në Fier, kanë kryer një sërë vjedhjesh me armë dhe vjedhje te tjera në dëm të kompanive të naftës dhe subjekteve të tjera private.

Gjithashtu, policia u sekuestroi në cilësinë e provës materiale: 1 kallashnikov, 14 fishekë luftarakë, 2 gëzhoja model 56, 9 bimë narkotike të dyshuara të llojit kanabis sativa, 21 fuçi të mbushura me vaj lubrifikant me një total prej 40 mijë litrash, 150 kg. tel bakri, 120 kg, bojë plastike, tre automjete, veshje kamuflazhi të përdoruara gjatë vjedhjeve, 6 aparatë celulari, si dhe vegla pune e sende të tjera të vjedhura me parë.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel