Nafta rritet në heshtje, çmimi drejt niveleve rekord

21/04/2015 00:00

Pas rënies që shënoi në fillim të vitit, çmimi i karburanteve duket se dalëngadalë po i rikthehet sërish niveleve të larta. Në pikat me pakicë, nafta u shtrenjtua sërish ditët e fundit duke cekur nivelin 180 lekë për litër.

Tregtarët thonë se shkaku është rritja e çmimit në bursë.

Në tregun vendas, çmimi i naftës shënoi nivelin më të ulët në fillim të shkurtit, ku në disa pika me pakicë ra deri në 165 lekë për litër. Por, pas kësaj kohe kurba e çmimi të karburanteve ka qenë vetëm në rritje, dhe sipas të dhënave krahasuar me Shkurtin ato janë shtrenjtuar me rreth 9 për qind.

Për shkak të taksimit të rëndë, Shqipëria është vendi i dytë me çmimin më të lartë të karburanteve ndër ekonomitë në zhvillim të Europës.  Madje, sipas “Global Petrol Prices” me çmimet aktuale, nafta në Shqipëri kushton më shtrenjtë edhe sesa në shumë vende të pasura si Franca, Gjermania, Belgjika apo Austria, ku të ardhurat për frymë janë disa herë më të larta.

Gjatë muajve të fundit çmimi i karburanteve ka qenë një çështje e nxehtë debati mes mazhorancës dhe opozitës. Kjo e fundit paraqiti në Kuvend një amendament, i cili zmbrapste rritjen e taksave në dy vitet e fundit nga qeveria me një efekt total prej 24 lekë për litër.

Por mazhoranca e rrëzoi draftin, pasi sipas ministrit të Financave efekti i rënies së të ardhurave në buxhet do ishte i papërballueshëm. 

Top Channel