Kriza në Jemen, shtohet prania ushtarake amerikane në rajon

21/04/2015 00:00

Tensionet në rritje për shkak të konfliktit në Jemen kanë bërë, që Shtetet e Bashkuara të shtojnë praninë e tyre në Gjirin e Adenit.

Dy anije shtesë janë dërguar në ujërat e Jemenit, për të marrë pjesë në “operacionet e sigurisë detare”. Aeroplanmbajtësja “USS Theodore Roosevelt” dhe anija me raketa “USS Normandy” kanë kaluar ngushticën e Hormuzit, duke iu bashkuar 7 luftanijeve të tjera amerikane në zonë.

“Qëllimi është të sigurohemi se kemi forca të mjaftueshme në zonë, për t’iu kundërvënë çdo kërcënimi”, citon Zëri i Amerikës zëdhënësin e Flotës së Pestë, komandantin Kevin Stephens, i cili shton se “shqetësim përbën edhe kontrabanda e armëve”.

“Nëse ka shenja se po ndodh trafiku i armëve, atëherë ka edhe një numër veprimesh që mund të ndërmerren”, sqaron ai.

Lëvizja e Uashingtonit pason raportet, se Irani ka dërguar 7 deri në 9 anije në zonë, disa prej të cilave mund të jenë të ngarkuara me armë për kryengritësit Huthi. Më herët, Republika Islamike kishte pohuar nisjen e anijeve të tjera në zonë, për operacione kundër piratëve.

Ndërsa thekson se zyrtarët amerikanë po i vëzhgojnë nga afër veprimtaritë detare në atë rajon, Pentagoni mohon raportet se veprimet amerikane synojnë pengimin e dërgesave të armëve nga Irani, edhe pse një shqetësim të tillë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest e ka ngritur edhe publikisht.

Sipas zyrtarëve amerikanë, nga trazirat në Jemen po përfitojnë grupe terroriste, si ai i Al Kaedës në Gadishullin Arabik (AQAP), ndërsa ekziston dhe droja se Teherani po shfrytëzon kaosin e këtij vendi për të rritur sferën e tij të ndikimit.

Top Channel