Investimet publike vazhdojnë të bien. Shkak, kriza dhe borxhet e prapambetura

21/04/2015 00:00

Të dhënat zyrtare tregojnë se kriza e financave publike dhe pagesa e detyrimeve të prapambetura kanë goditur fort investimet publike. Sipas Ministrisë së Financave, vitin e kaluar investimet e Qeverisë ranë në 60 miliardë lekë, sa 4.3 për qind e prodhimit kombëtar, duke shënuar një nga nivelet më të ulëta historike.

Por ky nuk ishte një rast i veçuar. Të dhënat tregojnë se 2014-a ishte viti i tretë me radhë, që investimet përmes buxhetit bien nën 5 për qind të prodhimit kombëtar, një nivel i konsideruar nga ekspertët si i domosdoshëm për të mbështetur rritjen ekonomike. Në 4 vitet para kësaj periudhe, Shqipëria ka shpenzuar për ndërtimin e rrugëve, ujësjellësave apo projekteve të tjera të zhvillimit, mesatarisht 7 për qind të prodhimit kombëtar në vit.

Rënia dramatike e fondeve, që vendi alokon për investime në kushtet e rritjes së vazhdueshme të borxhit, lidhet kryesisht me shlyerjen e borxheve të vjetra. Vitin e kaluar, buxheti shpenzoi 35 miliardë lekë, ose 2.8 për qind e prodhimit kombëtar për të paguar detyrimet e prapambetura ndaj privatëve.

Shlyerja e borxheve ishte një angazhim i fortë politik i Qeverisë. Të dhënat tregojnë se, deri më tani, buxheti ka shlyer mbi 50 miliardë lekë detyrime, nga 72.6 miliardë që është shifra totale e deklaruar. Por efekti i tyre në nxitjen e ekonomisë ka qenë kontrovers, duke hapur debate jo vetëm mes ekspertëve, por edhe vetë institucioneve ndërkombëtare që e mbështetën këtë masë, si Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Por përtej debateve, shlyerja e detyrimeve do të vazhdojë të marrë fonde edhe këtë vit nga buxheti, ndërsa investimet qëndrore në projektet e zhvillimit do të jenë sërish të ulëta, në rreth 4.6 për qind të prodhimit kombëtar.

Top Channel