Punësimi jashtë vendit, Zyra e Punës: Mundësi për t’u pajisur me kontratë zyrtare

21/04/2015 00:00

Në një kohë që qindra shqiptarë kanë bërë kërkesë për azil në vende të ndryshme të Europës, drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Genci Kojdheli tha se shqiptarëve mund t’u ofrohet mundësi punësimi jashtë, por në forma më dinjitoze.

“Ajo që kërkojmë është që të gjithë njerëzit e interesuar të aviten pranë sporteleve të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, ne të bëjmë filtrimin dhe komunikimin me ‘Europe Agency’ dhe organizmave të tjera të interesuara. Jemi duke nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi zyrtare mes dy institucioneve që edhe të sigurohemi që qytetarëve shqiptarë që shkojnë aty t’u mbrohen të drejtat e punës, të kenë të garantuar fluturimin, qëndrimin dhe ushqimin, për të siguruar një pozicion pune dinjitoz dhe për t’u treguar shqiptarëve të tjerë që po marrin rrugët e azilit të dëshpëruar, që ka mundësi shumë më të mira sesa azilimi i pashpresë kur ka vende pune të mirëp paguara në tregje si ato në Emiratet e Bashkuara”, thotë kreu i SHKP-së, Kojdheli.

Gjatë këtyre dy viteve është arritur punësimi i 85 personave në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Top Channel