Dita e Tokës, specialistët: Të ndalim erozionin, jemi vendi me më pak tokë në Europë

21/04/2015 00:00

Shqipëria është vendi me më pak tokë për frymë në Europë. Vetëm 24% e territorit të vendit është tokë bujqësore, nga e cila 14% është djerrë ose e braktisur. Në Ditën ndërkombëtare të Tokës, ekspertë të saj japin alarmin për shkatërrimin edhe të kësaj sipërfaqeje, kryesisht si pasojë e erozionit.

“Sot duhet vënë alarmi, pasi 60 mln ton të kores së tokës, pjesës më produktive, gërryhen çdo vit e shkon në përrenj, lumenj e det. Është hequr dorë nga ndërtimi i pritave malore për tokat e pjerrëta, sipas vijave rrushkulluese, plotësisht si një masë e domosdoshme, ku rreth 2 cm mesatarisht çdo vit ikën dëm, që është më i larti në Europë”, tha Jani Babi, zv.ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.

“Nga të gjithë njerëzit, por sidomos nga specialistët e bujqësisë që kanë lidhje të drejtpërdrejtë, bujqit e thjeshtë apo fermerët, të kenë kujdes edhe më të madh për tokën. Të mos bëhen më ndërtime të tilla abuzive nëpër kolektorë të ndryshëm, apo në mes të arave, të cilat nuk sjellin gjë tjetër veçse shkatërrime. Në fund të fundit edhe ulje të mirëqenies dhe burimeve të të ardhurave për njerëzit”, tha Agron Duka, ish-ministër i Bujqësisë.

Krahas ndërtimeve pa kriter, ekspertët shprehin shqetësimin e tyre edhe lidhur me atë, që e cilësojnë si masakër masive me prerjen e paligjshme të pyjeve.

Top Channel