Apeli i Erion Veliajt: Nga kandidatët kërkoni sa më shumë hapësira publike

21/04/2015 00:00

Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj zhvilloi në Qendrën Rinore në kryeqytet një takim me të rinj, ndoshta i fundit me këtë status prej tij.

Në nisje të fjalës së tij, Veliaj vlerësoi rolin e të rinjve në vendimarrje. Pasi falenderoi të gjitha bashkëpunëtorët e tij në Ministrinë e Mirëqënies Sociale për arritjet në këto pak kohë, ai përçoi një mesazh për votuesit e rinj.

“Kërkoni nga kandidatët sa më shumë hapësira publike. Në Shqipëri duhet të ketë sa më shumë qendra rinore dhe më pak Pub-e. Duhet të kërkojmë rikthimin e hapësirave publike” – tha Veliaj.

Veliaj pritet të japë së shpejti dorëheqjen si pjesë e kabinetit të qeverisë Rama për të garuar për kryetar të Bashkisë së Tiranës, ku përballë do të ketë Halim Kosovën nga opozita dhe 3 kandidatë të tjerë të pavarur.

Pyetjes se çfarë gjuhe do të përdorë gjatë fushatës së zgjedhjeve vendore të qershorit, Veliaj iu përgjigj: “Nuk do përdor gjuhën e helmit dhe të baltës në fushatë, sepse besoj që shumica e shqiptarëve nuk do të më pranonin. Të gjithë janë të lodhur nga gjuha e baltës. Të shmangim gjuhën e urrejtjes! Ne në Shqipëri jemi shumë pak për t’u ndarë, nuk jemi vend i madh, aty ku ka baltë, ne do hedhim mjaltë”.

Top Channel