Mazhoranca këmbëngul për Byronë. Opozita: Po ‘putinizohet’ shteti

21/04/2015 00:00

Edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e konsideroi antiligjor krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, mazhoranca duket e vendosur për të ngritur strukturën e re të hetimit ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Deputeti i LSI-së, Spartak Braho tha se do të shfrytëzohet çdo mundësi tjetër ligjore për të ngritur Byronë, ndërsa opozita reagoi duke thënë se ky është tregues tjetër i përpjekjes së mazhorancës për të ‘putinizuar’ shtetin shqiptar.

Dy kahet politike kanë referenca krejt të kundërta, nëse vendimi për krijimin e Byrosë ishte apo jo demokratik.

“Për çudinë më të madhe, ndonëse kjo nismë pati mbështetje të fortë edhe nga ndërkombëtarët, madje u ripërsërit kjo mbështetje edhe në bisedat që ka zhvilluar Ministri i Jashtëm me Sekretarin e Shtetit, zotin Kerry, Gjykata Kushtetuese e ka shfyqizuar”, deklaroi deputeti Braho.

“Nuk mundet që Rama të vazhdojë me strategjinë e tij për ta rikthyer Shqipërinë në një vend të ngjashëm me Rusinë e Putinit. Ajo që bëri Rama me të ashtuquajturën Byro, nuk ka synim tjetër vetëm të vendosë nën kontroll edhe institucionet e tjera të drejtësisë që ende nuk janë në kontrollin e tij”, thotë deputeti demokrat, Edi Paloka.

Megjithatë mazhoranca nuk do të heqë dorë nga Byroja Kombëtare e Hetimit, një strukturë që sipas saj, do të bëjë më efikase luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa sipas opozitës është tregues i mosrespektimit të shtetit ligjor.

“Vendimi nuk e ndal mazhorancën t’i shkojë deri në fund kësaj çështje, për ta ngritur, për ta ringritur, për t’i shkuar deri në fund Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kaq mund t’ju them sot. Byroja Kombëtare e Hetimit do të ngrihet”, deklaroi Braho.

“Shqiptarët po e shohin përditë se nuk njohin as ligj, as Kushtetutë dhe asgjë tjetër. Kjo vetëm fundin e shpejtë do t’u sjellë”, u shpreh Paloka.

Ideja për të bërë një ligj të ri për Byronë Kombëtare të Hetimit mund të konkretizhet vetëm pasi Gjykata Kushtetuese të publikojë arsyetimin e saj për pikat që i kanë dhënë të drejtë ankimimit të Partisë Demokratike.

Top Channel