Orikum, “azili” zbraz kopshtet e shkollat. Kryesisht largohen të rinjtë

21/04/2015 00:00

Ikja drejt Gjermanisë duket më së shumti në klasat e shkollave të Orikumit. Lista e nxënësve që kanë braktisur mësimin rritet çdo javë, në të gjitha nivelet, që nga kopshtet deri në gjimnaze. Lista është e gjatë, e fëmijëve dhe nxënësve që kanë ikur bashkë me prindërit, kryesisht në Gjermani.

“Kanë ikur shumë nxënës në Gjermani, mendojnë se ikin për më mirë, por s’kanë shpresa as kur ikin atje. Nga shkolla ime kanë ikur rreth 5-6 vetë, por nga shoqëria jashtë shkolle kanë ikur shumë më tepër”, thotë një maturant.

Janë 7, maturantët që nuk shkojnë më në mësim; dhe shumë, të tjerët që mendojnë të largohen.

“Po, janë larguar shumë. 3-4 veta nga klasa ime, ndërkohë që ka edhe nga shkolla. Kam dëgjuar për mbi 20 fëmijë të vegjël që janë larguar nga kopshtet, shkollat 9-vjeçare, por edhe kushërinj të mi. Sigurisht drejt Gjermanisë, por nuk e di sa do kenë sukses”, thotë një nxënëse.

Nga kopshtet e Orikumit janë 21 të mitur të larguar bashkë me familjet e tyre në emigracion.

“Prej Janarit të 2015-s vura re se numri i fëmijëve vinte duke rënë. Mendova se mos ishin për arsye shëndetësore, por bisedova me prindër të ndryshëm dhe më informuan se këta kanë marrë rrugën e emigracionit. Në Gjermani, por edhe në vende të tjera të Bashkimit Europian”, tha Sumbulla Malaj, drejtore e kopshtit në Orikum.

Kryebashkiaku është përpjekur, që me anë të takimeve me kryepleqtë, të bindë njerëzit që të mos largohen.

“Sipas informacioneve që kemi, duket më shumë si e organizuar nga shoqëritë e udhëtimit. Por po shfaqet si një sëmundje, që përhapet gjithandej, ndaj dhe ka largime nga të gjitha shtresat, por të përqendruara kryesisht te pjesa e të rinjve”, tha Gëzim Capo, kryetar i Bashkisë Orikum.

Pjesa më e madhe e të larguarve në Orikum janë të rinj, të cilët edhe pse dëgjojnë thirrjet se askush nuk do të marrë azil, thonë thjesht “ta provojmë”.

Top Channel