Kosovë, Aleksandër Lumezi kryeprokuror i ri i vendit

21/04/2015 00:00

Aleksandër Lumezi është dekretuar si kryeprokuror i shtetit nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pas një procesi të gjatë që ka kaluar edhe përmes Gjykatës Kushtetuese.

Përmes një deklarate të shkurtër në Facebook, Presidentja kosovare konfirmoi dekretimin e kryeprokurorit duke paralajmëruar se, vendin e presin shumë punë për të konsoliduar sundimin e ligjit, prej të cilit sipas Jahjagës varet e ardhmja e Kosovës.

Procesi për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri kosovar ka zgjatur gati një vit dhe është shoqëruar me kontestime të procedurave dhe me përsëritje konkursi, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Pas përsëritjes së procedurave ishte vetëm Aleksandër Lumezi, ai që kishte mbetur në garën për kryeprokuror, ndaj dhe kjo çështje u bë objekt shqyrtimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese, e cila ditë më parë i dha dritën jeshile Presidentes, që të mund të dekretonte Lumezin për kryeprokuror.

Kryeprokurori i ri, Aleksandër Lumezi është lindur në 1964-n në Prizren dhe ka mbaruar Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, ku po ashtu ka dhënë edhe provimin e Jurisprudencës.

Ai është i biri i avokatit Nikë Lumezi, ish-kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës. Deri në dekretimin e Lumezit, Zyra e kryeprokurorit të shtetit është udhëhequr nga ushtruesi i detyrës, Sylë Hoxha.

Top Channel