Misteri ende i pazgjidhur i vdekjes së 16-veçares

21/04/2015 00:00

Ishte 14 Nëntori i vitit të shkuar, kur Kostandina Anagnosti u nis nga Janina për në Dërmish të Sarandës, te gjyshërit e saj.

16-vjeçarja udhëtoi për në Shqipëri e pashoqëruar, në taksinë e një miku të familjes së saj, me qëllimin për të aktivizuar aparatin ortodentik te dentisti.

Pasi fjeti një natë te gjyshërit, vajza udhëtoi po me taksistin për në Sarandë dhe, pas vizitës te dentisti, u nis për në Greqi.

Sipas rrëfimit të taksistit në polici, pikërisht në fshatin Metoq, rreth 3.5 kilometra nga Saranda, vajza filloi të dridhej papritur dhe humbi ndienjat. Pas përpjekjeve për ta sjellë në jetë, duke i hedhur ujë dhe duke e goditur, taksisti ka deklaruar se është kthyer me shpejtësi drejt Spitalit të Sarandës, ku vajza ka mbërritur e pajetë.

Dyshimet e para të vdekjes u hodhën mbi vajtjen te dentisti, por mjekësia ligjore doli në përfundimin se vdekja e vajzës ishte natyrale, e shkaktuar si pasojë e një hemotragjie cerebrale.

Pas ekspertizës, trupi i Kostandinës niset për në Janinë, por babai i saj, pasi e sheh në morg pas 7 vitesh të bijën, kërkon ndalimin e varrimit për të bërë një ekspertizë të dytë.

Sipas Jorgo Anagnostit, e bija nuk ka vdekur në mënyrë natyrale, por diçka i ka ndodhur asaj gjatë rrugës. Ai rrëfeu në studion e Pasdites se, dyshon që e bija ka vdekur gjatë një aborti në Sarandë dhe se përgjegjës për këtë është taksisti, që ka shoqëruar vajzën.

Kostandina, pas divorcit të prindërve në 2007-n, ka jetuar në një shtëpi fëmije shtetërore në Janinë, deri ditën kur u nda nga jeta, 6 muaj më parë.

Top Channel