Prostitucioni elitë, dukuria që nuk zhduket, por transformohet

21/04/2015 00:00

Ishte një kohë, kur femrat nuk kishin shumë mundësi zgjedhjeje. Mund të bëheshin shërbëtore, të martoheshin me mblesëri, ose të përfundonin në manastir. Dhe nëse ato pretendonin për pavarësi, në shekullin e XVI kishte vetëm një mënyrë që t’ia dilnin mbanë: të përdornin hiret e tyre, të kishin aftësi të argëtonin meshkujt, e në këtë mënyrë të shndërroheshin në “zonjat e natës”.

Në ato kohë, kurtizanet ishin simboli i lirisë seksuale, bukurisë dhe guximit. Emri i tyre i dytë ishte “skandal” dhe ato sakrifikonin gjithçka në emër të luksit dhe epsheve. Së pari vinin paratë, pastaj kënaqësia.

Kurtizanet e para lindën në Venecia, ndërsa dy shekuj më vonë ato ishin një pjesë e rëndësishme dhe elitare edhe e Parisit mondan.

Më pas dukuria u pasua në Japoni, aty ku do të lulëzonin geishat, për të cilat edhe sot e kësaj dite ka një debat shumë të madh, nëse kanë qenë prostituta, apo thjesht argëtuese të meshkujve të pasur.

Geishat stërviteshin që në moshë fare të vogël, që të dinin të këndonin e të kërcenin sipas traditës japoneze, të grimoheshin në një mënyrë krejt të veçantë dhe të vishnin kimono të shtrenjta prej mëndafshi.

Gjithashtu, ato duhet të kishin edhe artin e komunikimit, pasi shoqëronin meshkujt që paguanin për to në dreka dhe darka, bankete apo evente të tjera. Gjatë pushtimit amerikan të Japonisë, termi “vajzë geisha” mbante konotacionin e prostitutës, pasi të dëshpëruara për parà, ato vetëquheshin geisha dhe e shisnin veten lirë tek ushtarët amerikanë.

Si kanë evoluuar “shoqërueset” ndër shekuj? Tashmë ato njihen si femra eskortë, që kur i porosit të vijnë në të gjitha format, përmasat dhe çmimet. Madje, me zhvillimin e teknologjisë mund t’i porosisësh edhe në internet. Ato e konsiderojnë veten superiore ndaj “kolegeve” të rrugës, për shkak të prestigjit dhe të të ardhurave marramendëse, që fitojnë brenda natës.

Njerëz të famshëm të Hollivudit, të sportit, madje dhe politikanë të pushtetshëm janë klientët e tyre më të shpeshtë. Tarifat e larta të femrave eskortë mund të përballohen lehtësisht prej tyre.

Cili është trendi më i fundit? Prostitutat “part time”, të cilat janë gjithmonë e në rritje. Ato mund të jenë shtëpiake, nëna të reja, studente, femra me të ardhura të pakta, përdoruese droge dhe kategori të tjera, që nuk bëjnë dot prostitutën me kohë të plotë.

Të paragjykuara ose jo, ato do të vazhdojnë të jenë një ndër bizneset më fitimprurëse në botë, pavarësisht çdo ligji apo mentaliteti.

Top Channel