Byroja, Ambasada e SHBA: Sugjerimet e Kushtetueses, parasysh në përshtatjen e ligjit

21/04/2015 00:00

E pyetur nga “Zëri i Amerikës” pas komenteve të autoriteteve shqiptare, Ambasada amerikane në Tiranë, përmes një zëdhënësi shpjegoi se, siç ka komentuar kohët e fundit edhe ambasadori Donald Lu, ajo “mbështet krijimin e një organi ligjzbatues me kapacitete të avancuara hetimore dhe autoritetin për të hetuar kriminelë apo zyrtarë të korruptuar në nivelet më të larta”.

Zyrtarë të FBI-së nga SHBA, së fundi ishin në Tiranë për të diskutuar krijimin e një Byroje Kombëtare të Hetimit dhe për të ndarë ekspertizën e tyre, në mbështetje të përpjekjeve për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve.

“Sigurisht, Byroja – shpjegoi zëdhënësi, – duhet të përputhet plotësisht me Kushtetutën e Shqipërisë, prandaj opinioni dhe udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë do të jenë shumë të rëndësishme për të ndihmuar ligjvënësit shqiptarë, që të përshtasin ligjin e tanishëm dhe për t’u siguruar që do të jetë kushtetues. Do të jetë e rëndësishme, që çfarëdo ligji i rishikuar të hartohet në mënyrë tërësore dhe përfshirëse”, përfundoi zëdhënësi i Ambasadës amerikane.

Top Channel