Fushata për Tiranën, Veliaj me të rinjtë. Kosova me artistët

21/04/2015 00:00

Ende pa nisur zyrtarisht fushata elektorale, dy kandidatët për kryetar të Bashkisë së Tiranës kanë vijuar takimet.

Erion Veliaj, kandidati i koalicionit të majtë të udhëhequr nga PS dhe LSI, ka zgjedhur që të takohet me të rinjtë e kryeqytetit, takim ky i zhvilluar në Qendrën e Rinisë, objekt për të cilin Veliaj theksoi se, si ai i duhen më së shumti qytetit.

“Kam besuar dhe ende besoj sot, që Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë nuk iu duhen më shumë lokalet tallava. Shqipëria ka sot të regjistruara rreth 1000 lokale të kësaj kulture, ndërkohë që Tirana nuk kishte asnjë qendër rinore. Kjo është arsyeja, përse këmbëngula që të luftonim që një hapësirë publike, një pronë ku të gjithë të jemi aksionerë, duhet t’ia kthenim publikut dhe rinisë”, u shpreh ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj.

Halim Kosova, kandidati i PD-së opozitare, ka zgjedhur që pasditen e së martës ta kalonte me artistët, ku dhe mësoi për lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të aktorit Met Bega. Sipas tij, duhet të ketë më shumë vëmendje për aktorët.

“Për Metin dhe për shumë të tjerë, që kanë ëndërruar diçka më mirë, por që nuk e arritën, e megjithatë mendimet dhe eksperiencat e tyre janë të vlefshme, do të mobilizohemi. Koincidoi një ngjarje e hidhur, por në një moment pikërisht duke biseduar me artistët. Kështu që le ta përkthejmë këtë në një mobilizim edhe më të madh për të ardhmen e aktorëve”, deklaroi mjeku gjinekolog, Halim Kosova.

Top Channel