Jemen, sauditët u japin “fund” sulmeve, operacion për rikthimin e shpresës

21/04/2015 00:00

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, e cila ka ndërmarrë prej më shumë se 3 javësh sulme ajrore ndaj militantëve Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen, ka njoftuar këtë të martë dhënien fund të operacionit ushtarak të mbiquajtur “Stuhia vendimtare” dhe nisjen e një operacioni të ri të quajtur “Rikthimi i shpresës”.

Lajmi u publikua përmes një deklarate të lexuar në televizionin shtetëror saudit “Arabiya TV”. Misioni i ri, sipas deklaratës, do të fokusohet tashmë në sigurinë brenda vendit dhe antiterrorizmin, te ndihmat humanitare, si dhe te gjetja e një zgjidhjeje politike në Jemen.

Ndërkohë, një zëdhënës saudit reagoi menjëherë pas këtij lajmi, duke thënë se koalicioni i udhëhequr prej sauditëve do të vazhdojë të ketë në shënjestër lëvizjet e grupit Houthi brenda Jemenit.

“Koalicioni do të vazhdojë të parandalojë lëvizjen e milicive Houthi, duke mos u lejuar ndërmarrjen e ndonjë operacioni brenda Jemenit”, tha Ahmed Asseri, gjeneral brigade.

Njoftimi i fundit sugjeron se fushata ushtarake e vendeve me shumicë muslimane sunite kundër rebelëve aleatë të Iranit, mund të vazhdojë edhe më tej, pavarësisht dhënies fund të sulmeve thuajse njëmujore.

Top Channel