Alarmi, Mesdheu mund të ‘përpijë’ 30 mijë jetë në 2015

21/04/2015 00:00

Mesdheu ka përpirë 1700 jetë në më pak se katër muaj të 2015 dhe nëse vazhdohet me këto ritme “anijet e vdekjes” do të marrin me vete mbi 30 mijë persona në mbyllje të këtij viti.

Organizata Ndërkombëtare e Migrimit ka lëshuar alarmin. Zëdhënësi Joel Millman tha nga Gjeneva se shifrat janë të frikshme.

“Deri më tani në 2015 janë mbytur 30 herë më shumë emigrantë se një vit më parë, kur deri në muajin maj kishim 56 viktima. Druhemi se shifra prej 3279 emigrantësh të vdekur në Mesdhe për 2014 mund të tejkalohet brenda pak javësh dhe në fund të vitit ky numër të tejkalojë edhe 30 mijë të mbytur”, tha Millman.

Ndërkohë, kapiteni tunizian i anijes së mbytur, që rezultoi vdekjeprurës për mbi 800 persona është arrestuar. Ai akuzohet nga autoritetet italiane për vrasje të shumëfishtë. Në aktpadinë e ngritur ndaj tij rëndon gjithashtu edhe akuza e favorizimit të emigracionit paligjshëm. E njëjta akuzë u ngrit dhe mbi një anëtar të ekuipazhit. Të dy këta persona ishin në mesin e 27 të mbijetuarve, që mbërriten në Siçili orët e vona të së hënës.

Rreth 25.000 njerëz janë mbytur në 10 vitet e fundit, në përpjekje për të mbërritur në Europë. Por fundjava dëshmoi edhe njëherë në mënyrën më drastike, se politika e deritanishme e BE-së për refugjatët ka dështuar.

Mbi 800 vetë vdiqën nga përmbysja e asaj anijeje, sipas OKB-së, mes të cilëve edhe fëmijë të moshave 10 dhe 12 vjeç. Zëdhënësja e UNHCR-së, Carlotta Asami thotë se përmbysja e mjetit të tejmbushur mund të ketë ardhur si pasojë e goditjes nga një anije mallrash, që ishte afruar ta ndihmonte.

Ekspertët mendojnë se për shpëtime në rastet emergjente nuk është përgjegjëse vetëm Italia apo BE-ja. Anijet mbushen para syve të vendeve afrikane, ndaj edhe ato duhet të reagojnë. Si fillim këshillohet vendosja e një bllokade në bregdetin e Libisë, për të pamundësuar punën e bandave kontrabanduese, të cilat përfitojnë shumë nga ky biznes.

Nëse është e domosdoshme, atje duhet të shkojnë edhe njësitë europiane të Marinës, për të mos lejuar nisjen e anijeve me refugjatë. Kjo nuk e zgjidh problemin e emigracionit, por do të shpëtonte të paktën jetën e njerëzve.

Një ide është ligjërimi i hyrjes në Europë. Kontrabandistët do të mbeteshin pa punë, sikur BE-ja çdo ditë të organizonte një traget me 1000 migrantë nga Afrika dhe t’i sillte ata në Itali apo në Spanjë. Pa pagesë dhe legalisht. Kjo, sipas përllogaritjeve të ekspertëve, do të thotë se në vit do të kishte 365.000 migrantë, jo më shumë sesa ka tani, kur vijnë me anije.

Top Channel