Malësi e Madhe, shkrumbohet magazina e bimëve medicinale

21/04/2015 00:00

Një magazinë, e cila shërben si qendër grumbullimi për bimët medicinale, është shkrumbuar nga flakët pasditën e së martës në fshatin Dobre të Malësisë së Madhe.

Flakët e zjarrit janë përhapur me shpejtësi, duke krijuar një vatër të madhe zjarri, që rrezikoi edhe banesat pranë saj.

Në ndihmë të zjarrfikëseve të Malësisë së Madhe kanë shkuar edhe zjarrfikëse nga Shkodra, teksa vetëm pas tre orëve është bërë e mundur, që flakët e zjarrit të vihen nën kontroll.

Policia ka nisur hetimet në lidhje me shkaqet e rënies së zjarrit, ndërkohë që mësohet se dëmi material është në një vlerë të konsiderueshme, pasi në magazinë ndodheshin tonelata me bimë medicinale, kryesisht e llojit sherebelë.

Top Channel