Kim Mehmeti: Ishte paralajmëruar se në Likovë do të inskenohej një konflikt

22/04/2015 00:00

Për të kuptuar më shumë se çfarë po ndodh në Maqedoninë e tensionuar, e cila vijon për një kohë të gjatë në krizë të brendshme politike, foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, shefi i zyrës së Top Channel në Shkup, Kim Mehmeti.

Ai tha se në Maqedoni mbizotëron besim se rasti i fundit në Likovë është një inskenim. Kur Maqedonia zhytet në mosmarrëveshje dhe në kriza të brendshme, Mehmeti tha se gjithmonë ndihmën e kërkon me nisjen e ndonjë incidenti ndëretnik.

***

Pandi Gjata: U raportua për 4 policë maqedonas të mbajtur peng në postën kufitare dhe sipas zyrtarëve atje u tha se ishin rreth 40 shqiptarë të Kosovës që kishin kryer këtë incident. Ka pasur vëmendje të madhe edhe në Maqedoni, por përtej lajmit çfarë po flitet në Shkup?

Kim Mehmeti: Në Shkup thuhet se më në fund është aktivizuar “Ushtria Çlirimtare e Gruevskit”. Kështu është komentuar këtu, pasi nuk është hera e parë që ndodhin të tilla raste. Kur Maqedonia zhytet në mosmarrëveshje dhe në kriza të brendshme, gjithmonë ndihmën e kërkon me nisjen e ndonjë incidenti ndëretnik, rëndom edhe me ndërhyrjen e Kosovës. Kosova është gjithmonë si ai rreziku kujdestar që Maqedonia jo një herë e ka përdorur për ta mbuluar vetveten.

Pandi Gjata: I referohem deklaratave të LSDM-së, ish-shefit të Kundërzbulimit të Maqedonisë, por edhe ish-shefit të UÇK-së për zonën e Likovës, të cilët thanë se është një histori e iniciuar nga Gruevski, apo jo?

Kim Mehmeti: Këtu mbizotëron ai besim se ky rast është një inskenim. Në fillim të këtij muaji ka pasur edhe një paralajmërim të tillë nga një aktivist i opozitës maqedonase, i cili edhe e saktësojë se në Likovë do të inskenohet një konflikt i tillë. Madje ai tha se i janë dhënë rreth 2 milionë euro disa qarqeve shqiptare për ta inskenuar të gjithë atë incident. Ai paralajmëroi edhe se do të ketë viktima, por për fat të mirë nuk ndodhi.

Pandi Gjata: A është një histori që ndodhi për të tërhequr vëmendjen nga ajo krizë e gjatë politike që po kalon Maqedonia? Mos ndoshta edhe zgjidhja e kësaj krize është bërë më e vështirë?

Kim Mehmeti: Unë mendoj se ky regjim ka ardhur në një situatë që nga ai zullumi i bërë mund ta shpëtojë vetëm ndonjë e keqe më e madhe. Tani mendoj se mund të arrimë në fazën e rrezikshme, se ka paralajmërime se Zaev do të shpalosi gjithçka në lidhje me vrasjen e 5-fishtë që ndodhi pranë liqenit në afërsi të Shkupit, për të cilën pati edhe dënime me burgim të përjetshëm. Flitet se ato do të jenë të dhëna të tmerrshme me të cilat do të përballemi. Unë mendoj se ata kanë ardhur në një situatë që duhet të bëjnë të pamundurën për të tërhequr vëmendjen, në një farë mënyre të mbulohet krimi i tyre. Maqedonia është në duart e kriminelëve dhe ata tani janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të shpëtuar, nuk kanë rrugë tjetër. Tani Maqedonia është në rrezik, por unë mendoj se do të ketë aq mençuri nga shqiptarët për të mos shërbyer si mbulesë për krimet që bëhen në këtë shtet.

Pandi Gjata: Dhe për ta theksuar, shqiptarët nuk janë pjesë e kësaj krize që ka përfshirë VMRO-në dhe LSDM-në, apo jo?

Kim Mehmeti: Të jemi të sinqertë, shqiptarët janë pjesë e qeverisë. Në fund të fundit BDI-ja është pjesë e qeverisë maqedonase dhe ajo ka përgjegjësi për të tërë këtë që ka ndodhur. Por ajo parti nuk i përfaqëson shqiptarët, pasi nuk do të rrinte në një qeveri, e cila deri tani ka dëshmuar një regjim shumë anti shqiptar.

Pandi Gjata: E bëra këtë pyetja pasi i referohem edhe deklaratës së ish-kryeministrit Ljubço Georgievski, i cili tha se “shpëtimin dhe zgjidhjen e shikoj me një kryeministër shqiptar dhe jo me përfaqësues të LSDM-së apo VMRO-së.

Kim Mehmeti: Ky është një tjetër këndvështrim dhe unë pajtohem me të. Një personalitet neutral, jashtë partive dhe veçanërisht edhe shqiptar, do të ishte një zgjidhje e mirë. Por unë flas pasi neve na ndodhin gjera të çuditshme duke pasur parti shqiptare në qeveri. Në fund të fundit edhe deklarata e para disa ditëve e kryetarit të BDI-së ishte se kjo çështje ka të bëjë me dy partitë maqedonase. Atëherë shtrohet pyetja, çfarë bëjmë ne shqiptarët në këtë qeveri? Sa herë ata grinden mes njëri-tjetrit ne vetëm tërhiqemi dhe shtiremi se jemi publiku dhe vetëm vëzhgojmë se çfarë po ndodh.

Pandi Gjata: Duke e ndjekur nga afër situatën, a e shikon zgjidhjen përmes një qeverie teknike apo do të kemi zgjedhje të parakohshme? Nëse është kjo e dyta, kur mund të mbahen zgjedhjet e parakohshme?

Kim Mehmeti: Maqedonia sot është edhe më keq se në vitin 2001 dhe nëse nuk do të ndërhyjë faktori ndërkombëtar, unë mendoj se nuk do të ketë zgjidhje. Unë mendoj se Maqedonisë i duhet një gjykatë speciale e ngjashme me atë të Kosovës. Të gjithë thonë se problemi i bisedave të përgjuara duhet të zgjidhet institucionalisht, por kush do ta gjykojë në këtë shtet kur shihet se gjykatat janë të kontrolluara nga Gruevski, kur të gjitha institucionet janë në shërbim të partisë VMRO-DPMNE.

Pandi Gjata: Pra në Maqedoni ka nevojë për një dorë të huaj?


Kim Mehmeti:
Maqedonia është eksperimenti më destruktiv në Ballkan, i cili çdo 10 vite dështon. Thuajse është arritur një pajtim edhe midis Prishtinës dhe Beogradit dhe Maqedonia nuk mund të arrijë pajtimin brenda vetvetes.

Top Channel