Takimet e Ramës në Bruksel; Mogherini-Hahn për reformat; Gjukanoviç-Vuçiç për infrastrukturën

22/04/2015 00:00

Konferenca ballkanike krijoi mundësi për takime të posaçme bilaterale për kryeministrin Rama, i cili u prit fillimisht nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, e më pas edhe nga Komisioneri Johannes Hahn.

Në komunikatën për shtyp të lëshuar pak orë pas takimit, kryediplomatja e BE-së shfaqet pozitive dhe e kënaqur nga diskutimi “mbi zhvillimet politike në vend dhe reformat, që po ndërmerr Shqipëria, veçanërisht pas dhënies së statusit kandidat”, vitin e kaluar.

“Shqipëria ka një perspektivë të qartë europiane dhe sot biseduam mbi mënyrën, për të ecur përpara në këtë proces”, vijon qëndrimi i Mogherinit, e cila mirëpret vendosmërinë e plotë të kryeministrit Rama për rrugën europiane të vendit, përfshirë punën për reformat e nevojshme.

“Biseduam gjithashtu për dimensionin rajonal dhe çmova përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë, për të qenë një partner konstruktiv në rajon, e përtej tij”, përfundon qëndrimi i Përfaqësueses së Lartë të BE-së mbi takimin me kryeministrin Rama.

“Është një lloj rutine, ku ne mbajmë shënime mbi progresin e mirë, të arritur mbi bashkëpunimin tonë. Siç e dini, Shqipëria ka 5 objektiva dhe Qeveria po punon shumë mirë; veçanërisht reforma për Gjyqësorin duket se po ecën mirë, ndaj jemi në rrugën e duhur. Ne jemi këtu meqë patëm këtë mundësi takimi, falë konferencës së ‘Gjashtëshes së Ballkanit’, por po të mos ishte ky rast nuk do të kishim pasur mundësi të uleshim së bashku, në aspektin për të zgjidhur probleme. Kështu që për momentin, fatkeqësisht nuk kam shumë gjëra për t’iu raportuar juve. Rasti e do, që gjërat ecin mirë”, tha Johannes Hahn, Komisioner për Fqinjësinë europiane dhe Negociatat e zgjerimit.

“Ajo që ne bëmë sot ishte përcaktimi i lidhjeve të rajonit, që nuk janë vetëm për infrastrukturën, por  është një projekt i paqes dhe bashkëpunimit të frytshëm. Në anën tjetër, kjo ishte një mundësi për t’u parë dhe ne kthehemi në Tiranë me më shumë motivim e mjaft optimizëm, sepse ne e dimë se çfarë duhet të vazhdojmë për të bërë. Do të dëshironim shumë të thonim që në vjeshtë puna kryhet, por kjo na takon neve”, tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Para nisjes së Konferencës ballkanike, kreu i ekzekutivit shqiptar takoi homologun malazez, Milo Gjukanoviç, me të cilin bisedoi mbi autostradën Adriatiko-Joniane, një projekt që synon lidhjen e Malit të Zi me Greqinë, përmes Shqipërisë, si dhe mbi mundësitë e projekteve të përbashkëta për zhvillimin e turizmit në zonën e Liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna.

Për të tilla projekte u bisedua dhe me kryeministrin Vuçiç, duke synuar një marrëdhënie strategjike Shqipëri-Serbi, bazuar në përvojën e pajtimit franko-gjerman.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel