Ministrja Gjermeni me ambasadoren çeke në Berat: Në shërbim të komunitetit rom

22/04/2015 00:00

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni dhe ambasadorja çeke, Bronislava Tomasova, ishin të martën në Komunën Otllak të Beratit në kuadër të aktivitetit: “Komunikimi i projekteve dhe  nismave të  ndërmarra lidhur me përmirësimin e kushteve të jetesës për komunitetin rom”.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes mes ambasadores çeke dhe kryetarit të komunës për rehabilitimin e qendrës komunitare, ministrja Gjermeni, e shoqëruar nga ambasadorja dhe deputeti Eduart Shalësi, inspektuan dhe vizituan nga afër banesat e rikonstruktuara në fshatin Moravë.

Projekti i zbatuar në fshatin Moravë të Komunës Otllak, me vlerë totale investimi 23 milionë lekë të reja, u implementua në dy faza dhe 24 familje të komunitetit rom rikonstruksion banese ishin përfitues direkt. Përveç rikonstruksionit të 24 banesave nëpërmjet këtij projekti, ndërhyrje u kryen edhe në kolektorin e shkarkimit të ujërave të zeza dhe rrjetit të kanalizimeve, nga ku përfituan 100 familje banues në këtë zonë.

Për vitin 2014 Ministria e Zhvillimit Urban në sektorin e strehimit ka zbatuar 4 projekte infrastrukturore për përmirësimin e kushteve të banimit për komunitetin rom dhe Egjiptian në 4 njësi të qeverisjes vendore me një vlerë totale investimi  rreth 70 milion Lekë.

Ministrja Gjermeni në fjalën e saj theksoi se, “strehimi është prioritet për Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe nuk shihet si një çështje që lidhet vetëm me mbështetjen financiare por dhe përmirësimin e kushteve sociale dhe integrimin e urbanizimin e këtyre zonave.  Për vitin 2015 Ministria e Zhvillimit Urban ka alokuar në buxhetin e saj një fond prej 90 milionë lekë për ndërhyrje infrastrukturore, me synim përmirësimin e kushteve të banimit për rreth 180 familje Rome, në 7 njësi të qeverisjes vendore. Një nga këto 7 njësi është edhe Komuna Otllak, ku së shpejti do të fillojë  zbatimi i projektit për rikonstruksionin e banesave të komunitetit Rom, me një vlerë totale investimi 23 milionë lekë të reja nga ku përfitues janë 60 familje rome”, tha ministrja Gjermeni.

Ambasada çeke ka alokuar një fond rreth 18 mijë euro për rehabilitimin e shkollës fillore, kopshtit dhe qendrës komunitare, e cila i shërben të gjithë banorëve që jetojnë në këtë lagje të fshatit Moravë në kuadër të ndihmës së alokuar nga Qeveria Çeke për zonat e përmbytura në shkurt të këtij viti.

Top Channel