Francë, parandalohen atentatet terroriste të 24-vjeçarit ndaj kishave

22/04/2015 00:00

Policia franceze arriti të shmangë një sulm të mundshëm ndaj një apo dy kishave në Paris; këtë ka pasur si synim personi i prangosur prej forcave të rendit.

Ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve sqaroi se, i arrestuari ishte një emër i njohur për autoritetet, për shkak të dëshirës së tij për të luftuar në krah të xhihadistëve në Siri. Ndalimi ka ndodhur tre ditë më parë, por nga autoritetet vendase u bë publik sot.

“Mëngjesin e së dielës është shmangur një sulm, që mund të ishte me pasoja të rënda. Për individin e ndaluar, policia kishte marrë sinjalizim se dëshironte të largohej për në Siri. Dy herë janë bërë verifikime mbi këtë student të IT-së; një në 2014-n dhe një tjetër këtë vit, por pa nxjerrë në pah ndonjë element, që të justifikonte çeljen e një hetimi gjyqësor”, tha Bernard Cazeneuve, ministër i Brendshëm i Francës.

24-vjeçari i specializuar në shkenca kompjuterike kishte kërkuar të dielën një autoambulancë për një person të plagosur. Kur ekipi mjekësor mbërriti në vendngjarje, pa se plaga ishte pasojë e një të shtëne aksidentale; i riu kishte qëlluar veten.

U lajmërua policia, e cila gjeti në makinën e studentit armë dhe shënime, që tregonin se po planifikonte sulme nëpër kisha. Bastisja e apartamentit të tij nxori në dritë një tjetër arsenal armësh.

Sipas ministrit Cazeneuve, i ndaluari dyshohet edhe për vrasjen e një gruaje në afërsi të Parisit, pak përpara arrestimit të tij. 32-vjeçarja kishte udhëtuar drejt kryeqytetit francez për një trajnim dhe është gjetur e vrarë në automjetin e saj. Ajo mendohet të ketë qenë thjesht një viktimë rastësore e personit të prangosur të dielën.

Autoritetet franceze vazhdojnë të mbeten në gjendje të lartë gatishmërie për sulme të mundshme në vende publike, që prej masakrës së “Charlie Hebdo”-së dhe pengmarrjes në supermarketin hebraik në muajin Janar, dy episode të përgjakshme që kushtuan 17 jetë njerëzish.

Top Channel