Kapiteni i anijes së fundosur ishte i dehur dhe pinte hashash

22/04/2015 00:00

Kapiteni i anijes së fundosur në fundjavë ishte i dehur. Kishte pirë verë e tymoste hashash në timon dhe kur pa të afrohej anijen portugeze të mallrave që deshi t’i ndihmonte, tentoi të largonte mjetin.

Vetëm se manovrat e gabuara provuan krejtësisht efektin e kundërt, duke çuar drejt një përplasjeje. Goditja nuk ishte e fortë, por spostimet e befta të emigrantëve të përfshirë nga paniku, bënë që peshkarexha të përmbysej.   

Dëshmitë e disa të mbijetuarve të tragjedisë së konsumuar ditë më parë në Mesdhe, kanë ndihmuar në rindërtimin fillestar të ngjarjes nga Prokuroria e Katanias. Prej gati 900 vetëve që ishin në bordin e mjetit të tejmbushur, nuk arritën të shpëtonin më shumë se 27. Ata i kanë rrëfyer zyrtarëve italianë peripecitë në det dhe luftën e dëshpëruar për mbijetesë.

Sipas 17-vjeçarit nga Bangladeshi, Riajul Islam, arsyeja e vetme pse ai sot jeton është fakti që dinte not dhe që kishte qenë në kuvertë në momentin e përmbysjes. Me qindra vetë, mes të cilëve gra e fëmijë, sipas tij, u mbytën si të zënë në çark, sepse ishin të bllokuar në hambarin e anijes.  

Dy të ndaluarit janë tuniziani 27-vjeçar Mohammed Alì Malek, kapiteni i mjetit, dhe 25-vjeçari Mahmud Bikhit nga Siria, anëtar ekuipazhi. Që të dy ishin hequr si emigrantë, por Giuseppe Pomilla, një nga mjekët që ndihmoi klandestinët e mbijetuar, thotë se nuk iu desh shumë që ta kuptonte se kush ishte Ali Maleku në të vërtetë.

“E pyetëm si e kishte emrin dhe ai e harroi, sepse në fillim kishte dhënë një emër të rremë. Kam kohë që e bëj këtë punë dhe arrij t’i dalloj menjëherë se cilët janë trafikantët. E kanë të shkruar në fytyrë. Janë gjithmonë në formë më të mirë fizike se të tjerët që zakonisht, i shohim thuajse krejt të dërrmuar”, tha mjeku.

Një numër gjithmonë e më i madh njerëzish nisen nga udhëtimet e rrezikshme drejt Europës dhe pikërisht brigjet e këtij vendi janë shndërruar sot në shënjestrën kryesore të trafikantëve të njerëzve. Me mijëra klandestinë po tentojnë sidomos këto kohë kalimin në Kontinentin e Vjetër përmes detit për shkak të ngrohjes së motit.

Sipas zyrtarëve italianë, mund të ketë deri në një milion njerëz të tjerë që presin rastin të ngjiten në anije në Libinë e përfshirë nga kaosi. Vetëm të hënën, Roja Bregdetare italiane shpëtoi 638 emigrantë në 6 operacione të ndryshme, ndërsa të martën 446 të tjerë u arrit të nxirreshin nga një tjetër anije në vështirësi 130 km larg brigjeve të Kalabrisë.

Top Channel