Njohja e pensioneve për emigrantët, marrëveshje me Kanadanë

22/04/2015 00:00

Rreth 20 mijë qytetarë shqiptarë që jetojnë në Kanada do të kenë mundësi të përfitojnë pensione. Kjo është një ndër marrëveshjet e fundit që ka nënshkruar  ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, një javë para se të japë zyrtarisht dorëheqjen dhe të nisë fushatën për kryetar të Bashkisë së Tiranës.

“Marrëveshja ndihmon 20 mijë shqiptarët që jetojnë në Kanada, por ata përfitojnë edhe nga marrëveshjet që ka Kanadaja me shtetet e tjera. Pra, nëse një emigrant shqiptar ka jetuar në Itali dhe më pas është transferuar në Kanada, atëherë edhe vitet e Italisë do të njihen”, shpjegoi Veliaj.

Opozita prej ditësh ka akuzuar Veliajn si një ndër përgjegjësit kryesorë të largimit të shqiptarëve drejt vendeve të BE-së, të cilët kërkojnë azil.

Por, për ministrin e Mirëqenies Sociale, kjo është pasojë e keqqeverisjes gjatë tetë viteve të shkuara: “Largimet gjatë viteve të fundit kanë qenë rreth 67 mijë veta në vit, ndërsa këtë vit jemi në shifrën 43 mijë veta në vit. Më rezulton që po largohen më shumë njerëz nga komunat që drejtohen nga këta që bërtasin më shumë. Varfëria nuk erdhi në një ditë. Para se të drejtojmë gishtin, ka nevojë për pak reflektim dhe për ndjesë nga ata që kanë qenë në pushtet për 8 vite.”

Ministria e Mirëqenies Sociale pritet të nënshkruajë marrëveshje me Gjermaninë, Austrinë dhe Italinë, në lidhje me njohjen e pensioneve të shqiptarëve që jetojnë në këto shtete, ndërkohë që sfidë mbetet Greqia.

Top Channel