Përcillet në banesën e fundit humoristi Met Bega

22/04/2015 00:00

Miq, të afërm, kolegë dhe qytetarë të thjeshtë kanë bërë homazhe e janë përkulur me respekt para trupit të pajetë të artistit Met Bega.

Homazhet kanë nisur rreth orës 11 në ambientet e Muzeut Kombëtar. Kolegë të aktorit, përveç dhimbjes për këtë humbje të madhe, kanë shprehur edhe kritikat e tyre në lidhje me më shumë përkujdesje.

“Ishte një nga artistët me një plastikë të shkëlqyer, një artist që e donte humorin, e donte edhe vetë spektatori, sidomos ai i Shqipërisë së Mesme, i cili ishte i dashuruar pas Met Begës. Ditën që njerëzit përcillen në banesën e fundit, ne u thurim lavdërimet e dynjasë, ndërsa sa janë gjallë, i kalojmë në mënyrë të rëndomtë. Për këtë nuk më vjen mirë. Nuk kishte përse të mbetej i harruar Met Bega, por edhe të tjerë”, tha aktori i mirënjohur Luftar Paja.

Homazheve iu është bashkëngjitur edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

“Padyshim që është një humbje për skenën, por ai mbetet një vlerë e jashtëzakonshme për artin dhe publikun. Iku një njeri që e kishte buzëqeshjen në zemër dhe në shpirt, edhe në kohërat kur nuk ishte e thjeshtë të buzëqeshje, dhe që iu dha shpresë e arsye për të qenë të lumtur, qoftë edhe për pak çaste, një publiku, i cili do ta kujtojë gjithmonë me dashuri”, u shpreh ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Edhe kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës u ka shprehur ngushëllimet familjarëve të aktorit, duke theksuar se kjo është një humbje e madhe për të gjithë.

“Sot ata kanë humbur njeriun më të dashur, kolegun e talentin, që do të na mungojë të gjithëve këtej e tutje, por që ka lënë një emër dhe një vepër, e cila sa herë të shikohet do të na rikthejë humorin, sido që ta kemi situatën përreth”, deklaroi kandidati demokrat për kryebashkiak të Tiranës, Halim Kosova.

Aktori i mirënjohur i humorit, Met Bega u nda nga jeta në moshën 69-vjeçare, për shkak të sëmundjes së Parkinsonit, prej së cilës aktori vuante në 5 vitet e fundit.

Met Bega i kishte munguar skenës vendase prej disa vitesh, që nga shfaqja e tij e fundit në “Met Bega Show“. Në karrierën e tij të gjatë 40-vjeçare, Met Bega ka luajtur një sërë rolesh në Estradën e Tiranës, por edhe në filma artistikë me personazhe që kanë mbetur në kujtesën kolektive, si “Dy herë mat“, “Tela për violinë“, “Stolat në park“ apo “Edhe ashtu, edhe kështu“.

Top Channel