Meta takon Zwazl: Të thellojmë bashkëpunimin në arsim, shëndetësi dhe energji

22/04/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i cili merr pjesë në Konferencën së
Kryeparlamentarëve të vendeve të Bashkimit Europian që po zhvillohet në
Romë, u takua të mërkurën me Presidenten e Dhomës së Lartë të
Parlamentit të Austrisë, Sonia Zwazl.

Në takim u vlerësuan marrëdhëniet tradicionale mes Shqipërisë dhe Austrisë. Bashkëbiseduesit ndanë bindjen se shkëmbimet ndërparlamentare duhen intensifikuar më tej në shërbim të bashkëpunimit dypalësh.

Kryeparlamentari Meta u fokusua tek potencialet e thellimit të bashkëpunimit, veçanërisht në fushat e investimeve në energji, arsimin profesional dhe në shëndetësi. Gjithashtu, ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Austrisë, si në kuadër të procesit të integrimit europian, ashtu edhe për bashkëpunimin ekonomik.

Ndërsa shprehu gatishmërinë e Austrisë për të ofruar asistencën e saj, zonja Zwazl tha se “në këto momente të vështira ekonomike për gjithë Europën, arsimi profesional dhe trajnimi i të rinjve për tregun real të punës është një prioritet që nuk duhet paneglizhuar”.

Top Channel