Genc Ferhati, gjoba nga burgu. 4 të arrestuar, 2 në kërkim

22/04/2015 00:00

Genc Ferhati, një ndër personazhet më të njohura në botën e krimit në Tiranë, në vitet 1997-2000, i cili sa po i afrohej datës së lirimit nga burgu, ku ndodhet i dënuar për vrasje, ka marrë një tjetër arrestim nga policia, nën akuzën e gjobëvënies.

Nga Burgu i Peqinit, Ferhati u jepte urdhra bashkëpunëtorëve të tij, për të kanosur dhe shtrënguar një tregtar në biznesin e kafesë, që t’u jepte përqindje të caktuar në fitim. Të arrestuar me të njëjtën akuzë, përveç Ferhatit, janë persona me precedentë të rëndë penalë: Pajtim Serjani, Arjanit Luli, Ditmar Reçi dhe Klevis Karadashi.

Në kërkim janë shpallur edhe Elvis Karoli dhe Arben Haxhihyseni. Mes të arrestuarve ndodhet edhe Pajtim Serjani, i dënuar më parë për moskallëzim krimi dhe që u përfshi në një përplasje me armë në “Rrugën e Kavajës” katër muaj më parë, ku mbeti i vrarë ekzekutori. 

Nëndrejtori i Policisë së Tiranës sqaroi një prej mekanizmave, sesi funksiononte grupi për të realizuar marrjen e gjobës.

“Nga data 6 Shkurt 2015 e në vazhdim, me anë të shtrëngimit, kanosjes dhe dhunës fizike, i kanë marrë përqindje aksionesh nga aktiviteti i biznesmenit në Tiranë, si dhe i kanë kërkuar një shumë parash, duke pretenduar ndarjen e fitimeve nga aktiviteti tregtar. Grupi drejtohej nga shtetasi Genc Ferhati, i cili komunikonte nga qelia e burgut të Peqinit nëpërmjet rrjeteve sociale me të dëmtuarin dhe bashkëpunëtorët e tij”, tha Rebani Jaupaj, nëndrejtor i Policisë së Tiranës.

Genc Ferhati komunikonte nëpërmjet rrjetit social nga qelia e tij në Peqin, me vetë të dëmtuarin si dhe me bashkëpunëtorët. Ai i kërkonte një sasi prej 13 milionë lekësh, si pjesë të fitimit për vitin 2014 biznesmenit, duke pretenduar se ishte bashkaksioner në këtë firmë.

Ndaj biznesmenit ishte ushtruar disa herë dhunë fizike, por, ndërsa nuk ka paguar te banda e Genc Ferhatit, biznesmeni ka bërë kallëzim në polici. Ferhati ndodhet prej 15 vjetësh në burg për vrasjen e Denis Ginës dhe Median Shehut në vendin e quajtur “Fusha e druve” në Tiranë, vrasje kjo e realizuar me antitank.

Top Channel