Një profil “i paautorizuar” për Nano- Blushin

22/04/2015 00:00

ARBEN MANAJ – Përtej diversionit mediatik të supozuar për një shizëm
(schism) të re të Partisë Socialiste apo edhe një parapërgatitjeje
terreni për një opsion të tillë, sado potencial, nëse do të ndodhë një
zhvillim i tillë, do të duhet të shërbente për mazhorancën si një
kambanë alarmi.

Politika e sotme shqiptare ka shumë arrogancë e fodullëk, papërgjegjshmëri dhe mungesë llogaridhënieje, heshtje apo përshtatje interesash, vetëkënaqësi numrash e rehati shifrash.

Paradoksalisht duket se pakënaqësia jo dhe aq e panjohur dhe habitëse në radhët e jo pak socialistëve të thjeshtë ose militantë të papërfaqësuar apo përfaqësuesish socialistë po aq të injoruar, pavarësisht nga kontributet reale dhe historike në atë formacion, nga ithtarët e kryesocialistit të ri që kanë mbyllur çdo shteg karriere politike apo mbijetese dhe mirëqenieje pse jo, për të pakënaqurit, edhe pse dalëngadalë, po e krijon terrenin për një riformatim potencial të partisë më të madhe numerikisht të shqiptarëve.

Ironikisht, thënë shkurt, duket se Rama po thërret në skenë Fatos Nanon, të vetmin njeri që nëse lë mënjanë papërgjegjshmërinë e tij emblematike dhe mosseriozitetin e demarsheve të mëparshme për rikthim në politikën aktive, i cili mund të çojë jo vetëm në rifaktorizim të tij personal dhe mbështetësve jo të paktë në partinë e tij të humbur, por edhe të defaktorizojë edhe LSI-në si “King-maker” të padiskutueshëm për momentin.

Reagimet e mbështetësve të pushtetit në mediat sociale ndaj pakënaqësisë së Blushit dhe tentativa për të banalizuar shpërthimin jo aq të papritur të figurës së vetme intelektualisht sfiduese për Ramën, është më shumë demonstrim i pakontrolluar në subkonshiencë i frikës nga ajo që mund të ndodhë, NËSE (me gërma të mëdha e shkruaj), do të mund të ravijëzohet një përpjekje serioze për ribalancimin e absolutizmit politik nga mazhoranca.

Fatkeqësisht, siç është konfiguruar skena politike shqiptare, me një mazhorancë që i buzëqesh prej hirit apo pahirit apo dhe bën rolin e lulediellit ndaj atij që i mundëson fotosintezën kësaj qeverie, por dhe asaj paraardhëse, Ilir Metës e LSI-së, ekziston një rrezik real funksionimi i demokracisë, të paktën për këtë mandat, pasi formacionet politike të mazhorancës u janë nënshtruar tekave, humorit dhe arrogancës përzgjedhëse të drejtuesve respektivë, duke shndërruar në hiçgjë partitë dhe mënyrën e funksionimit të brendshëm të tyre.

Së fundmi, përzgjedhja e kandidaturave për pushtetin e ri lokal, si edhe ajo e deputetëve të sotëm dhe me shumë gjasa edhe atyre të ardhshëm, është imponim i vullneteve personale të liderëve, të cilët kanë paracaktuar se kë do të duhet të votojë plebeu.

Por vazhdimi i status-quo-së do të mund të ndërpritej, nëse realisht do të mund të formatohej një lëvizje, një fraksion apo një frymë re e së majtës, që siç flitet ose spekulohet, mund të grumbullojë rreth vetes një numër të konsiderueshëm mbështetësish të majtë.

Kjo, me kushtin e patjetërsueshëm, nëse do të shikonin se drejtuesit e rinj hipotetikë, do të kishin seriozitetin dhe vendosmërinë për të inspiruar shumë të pakënaqur e të mënjanuar nga brezi i Soros-istëve dhe hi-tech-ve në pushtet, që me votat e armatës së madhe të socialistëve drejtojnë sot administratën e Ramës.

E vërteta, sado e hidhur për mazhorancën, është se të promovuarit e Ramës në administratë, edhe pse shumica djem e vajza të zotë, edhe pse mustaqepadirsur, nuk janë ata që kanë dhënë kontributet më të mëdha në atë parti, madje janë të katapultuar aty në vitet e fundit.

E po të krijonte Rama një parti më vete me ata, nuk do të mblidhte më shumë se FRD-ja e Topit në rastin më të mirë.

Andaj konsideroj se një dalje potenciale e një formacioni të ri nga PS-ja, për të cilin jam skeptik më shumë se optimist, do të krijonte një rrjedhje jo të vogël nga partia-mëmë, e do të faktorizonte e vendoste, ndoshta më shumë se LSI-ja e sotme, fatin e çdo qeverie të ardhshme të majtë apo të djathtë.

Kush mendon se kjo nuk ka gjasa të ndodhë, të paktën teorikisht, e se nuk do të ketë njerëz që do të shohin se mund të bëjnë karrierë në një formacion apo nuk do të ndillen pas pushtetit dhe përfitimeve prej tij, siç ndodh me klintelizmin e LSI-së, e cila për shkak të pozicionimit, ka çfarë t’i ofrojë kujtdo; kam frikë se vuan nga strabizmi politik.

Pa dyshim, një forcë e re politike, e cila do të mund të marrë një numër të nevojshëm përcaktues deputetësh nga e majta aktuale apo do të shndërrohet në të dytin “King-maker” në një parlament të ardhshëm, do të shtonte optimizmin edhe në radhët e së djathtës, e cila thellë-thellë, në një reflektim të brendshëm politik, do të duhet ta ketë kuptuar ndërkohë, se nuk mund të vijë e vetme në pushtet pa mbështetjen e LSI-së ose një force tjetër, që mund të prodhojë numra në parlament, e kjo vetëm nga e majta.

E kjo forcë e re, sërish hipotetike, nëse po them Fatos Nano do të braktisë hedonizmin dhe veset e tij famëkeqe ose nëse Blushi do të heqë dorë nga sabatikalizmi letrar apo nëse do t’u thërrasë edhe llogaria bankare atyre ose pasuesve të tyre, do të mund të tërheqë pa më të voglin dyshim edhe partiçka të vogla të së majtës, që nuk po gjejnë veten tek ombrella e tyre tradicionale, PS-ja, pa përjashtuar edhe ndonjë formacion me ADN-në nacionaliste që udhëhiqet prej drejtuesve të promovuar nga Nano në fillesat e tyre politike.

Pragmatizimi dhe joidealizmi, janë tiparet e reja të etapës së zhvillimit të demokracisë shqiptare, të cilat simbolizohen te prurjet elitare si te LSI-ja ose edhe PS-ja e Edi Ramës apo edhe opozita.

Andaj, e njëjta metodikë lehtësisht mund të aplikohet edhe te formacioni i ri, që përflitet se do të dalë ose që në çdo kohë mund të çelë syth, nëse do të shtohen akoma më frikshëm radhët e të pakënaqurve me mazhorancën dhe injorimin e kontributorëve të dikurshëm të PS-së.

E nëse do të dalë dikush, qoftë Nano a Blushi, edhe pse mohohet momentalisht një probabilitet i tillë, që do të mund të inspirojnë jo pak në pritje për një varkë tjetër shpëtimi, gjithmonë nëse timonieri është esëll e nuk e ka falur poshtërimin, por mbi të gjitha nëse zhbën imazhin e njeriut të papërgjegjshëm (imazh që i intereson ta promovojë dhe jo pa shkak, pushteti i sotëm në luftën politike ndaj një rreziku të tillë), skena politike pas zgjedhjeve të ardhshme, do të jetë shumë e ndryshme dhe e paparashikueshme sesa është sot.

Top Channel