Deklarata e Veliajt, reagon PD: Njerëzit po ikin, sepse janë zhytur në mjerim

22/04/2015 00:00

Pas deklaratave të sotme të ministrit të ministri i Mirëqenies Sociale
dhe Rinisë, Erion Veliaj, se pjesa më e madhe e qytetarëve që largohen
nga vendi u përkasin komunave që drejtohen nga PD-ja, ka reaguar kjo e
fundit.

“E turpshme si një anëtar i këtij kabineti, që u kujdes dy vjet për mirëqenien personale e ndan Shqipërinë në tonën dhe të tyre. Njerëzit po ikin se qeveritarë dhe zotëria në fjalë kujdesen vetëm për mirëqenien e tyre. Qytetarët i kanë zhytur në mjerim, papunësia është rritur, çmimet po ashtu. Këta kredhen nëpër ekrane me suksese imagjinare. Shqiptarët po marrin rrugët e botës ndërsa këta janë strukur në luksin e siguruar nga lekët e shqiptarëve”, thuhet në reagimin e zëdhënëses së PD-së.

“Largimet gjatë viteve të fundit kanë qenë rreth 67 mijë vetë në vit, ndërsa këtë vit jemi në shifrën 43 mijë veta në vit. Më rezulton që po largohen më shumë njerëz nga komunat që drejtohen nga këta që bërtasin më shumë”, ishte deklarata e sotme e ministrit Veliaj, njëherazi kandidat i PS-së për Bashkinë e Tiranës.

Top Channel