Fier, prezantohet skema e re e pensioneve. Rama: Propaganda për uljen, gënjeshtër

22/04/2015 00:00

Fieri ishte një tjetër qytet, nga ku është prezantuar reforma e re e pensioneve, për të cilën drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho tha se rrit cilësinë e shërbimeve.

Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, në ditët e fundit në këtë detyrë iu tha banorëve të Fierit se, ai dhe ekipi qeverisës janë futur në politikë me një mision: Për të ndryshuar jetën e njerëzve.

“Të shkosh nga 220 në 300 apo 320 përkthehet në më shumë parà në xhep, në më shumë ushqime në tavolinë, me një veshje të re, me një shkollë apo një libër më shumë, me një udhëtim apo një drekë jashtë. Si ato që snobët e Tiranës hanë përditë, por që një njeri normal, me shtrenjtimin e çmimeve në këtë ekonomi tregu e ka luks po të ishte ai pensioni i vjetër qesharak. Mua më vjen mirë që 39 mijë pensionistë, që dalin çdo vit në pension, këtë vit do ta kenë pensionin më të lartë se ç’do ta kishin po të dilnin vjet. Vitin tjetër, këtë fat do ta kenë edhe 39 mijë apo 40 mijë të tjerë. Në fund të këtij mandati, 120 mijë vetë do të jetojnë më mirë, sepse kanë një pension më të lartë. Për mua kjo është politika, që çdo vit më shumë njerëz të kenë një jetë më të mirë”, u shpreh ministri Erion Veliaj, i shpallur edhe kandidat i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës.

Kryeministri Edi Rama, ministrin Veliaj e quajti një vlerë të shtuar për kabinetin qeverisës, gjë të cilën – theksoi Rama, – ai e ka dëshmuar në udhëheqjen e kësaj reforme historike. Zëvendësimi i tij, – u shpreh kreu i Qeverisë, – nuk do të jetë i lehtë.

Ndërkohë, sipas Ramës, propaganda e ngritur, se me këtë reformë janë ulur pensionet është tërësisht gënjeshtër.

“Ne, me kurajo e hoqëm tavanin e pensioneve dhe krijuam një hapësirë të paimagjinueshme 18 muaj më parë. Hapësirën, që gjithësekush të vendosë vetë për pensionin e tij, nëse do të ketë një pension më të lartë, duke kontribuuar më shumë për skemën e pensioneve”, theksoi kryeministri Rama.

Në përfundim të takimit, kryeministri Rama u shpërndau banorëve “Librezat e Pensionit”, sipas skemës së re.

Ja një specialist i naftës, që përfiton 8500 lekë më shumë. Një teknik elektrik, me 45 vjet punë, do të kishte marrë 16900 lekë, ndërsa sot me 7600 lekë më shumë. Një tjetër inxhiniere, me 39 vjet punë, 24500 kishte për ta marrë pensionin, ndërsa sot merr një pension më dinjitoz, me 3800 lekë më shumë”, ishin disa nga shembujt e pensioneve të marra sipas skemës së re.

* Në Fier u përurua edhe shkolla e mesme profesionale “Petro Sota”, të cilën kryeministri Rama e quajti si pjesë e një modeli të ri dhe një qasjeje të re ndaj punësimit. “Nëpërmjet të tilla shkollave, – tha Rama, – synojmë modele suksesi të atyre vendeve, që e kanë përballur sfidën e punësimit, duke vënë theksin tek arsimi profesional”.

* Kryeministri është rikthyer edhe në zonat e përmbytura, nga ku u janë shpërndarë fermerëve të prekur 680 krerë dele. “Vazhdojmë të ndihmojmë, edhe pse ngjarja për opinionin publik është harruar”, tha kryeminisri, i cili ka theksuar se për Qeverinë, ajo nuk është harruar. “Nuk është prani simbolike, por dëshmi e faktit se jemi në krye të detyrës, për të përmbushur angazhimet”, u shpreh Rama.

* Ndërkohë vazhdon kontributi i sipërmarrjes në solidarizim dhe mbështetje të familjeve të prekura nga përmbytjet. 100 familjeve në këtë zonë iu dorëzuan sot pajisje të ndryshme shtëpie dhe elektroshtëpiake, si frigoriferë, lavatriçe, soba, dyshekë, batanije dhe veshmbathje.

Top Channel