Jemen, përparojnë rebelët Huthi. Sauditët ftojnë OKB-në për zgjidhje politike

22/04/2015 00:00

Kryengritësit Huthi morën nën kontroll Shtabin ushtarak në Taiz, qyteti i tretë për nga madhësia i Jemenit, ndërsa vazhdojnë luftimet në terren si atje, ashtu dhe në qytetin portual të Adenit, në jug të vendit.

Pak pas marrjes së bazës, që mbrohej nga forcat besnike të presidentit Abd-Rabbu Mansour Hadi, zona u godit nga një sulm ajror.

Arabia Saudite, sipas “Zërit të Amerikës” shpalli përfundimin e sulmeve njëmujore nga ajri, të cilat synonin frenimin e kryengritësve Huthi, por shtoi se vazhdon të mbetet e angazhuar për gjetjen e një zgjidhjeje politike të konfliktit, duke përfshinë këtu edhe veprimet për të penguar rebelët të shtien në dorë armë nga ushtria jemenase.

Sauditët i dhanë përparësi edhe rifillimit të bisedimeve, të udhëhequra nga Kombet e Bashkuara për Jemenin. Në një fjalim televiziv nga Arabia Saudite, Hadi tha se kriza në vendin e tij do të përfundojë “së shpejti” dhe falënderoi koalicionin e udhëhequr nga sauditët, duke shtuar se qeveria e tij do të rikthejë shpresën te qytetarët e Jemenit.

Megjithatë, në terren situata duket ndryshe. Irani, i cili mbështet rebelët Huthi, e mirëpriti atë që Teherani e cilësoi si fundi i “vrasjes së civilëve të pafajshëm dhe të pambrojtur”, vazhdon VOA, ndërsa e cilësoi veprimin si “një hap drejt zgjidhjes politike”.

Ndërkohë, Presidenti amerikan Barack Obama tha të martën se, Qeveria e tij i ka bërë të qartë Iranit se, çdo dërgesë e armëve për Huthit do të përbëjë një “problem”.

Top Channel