PS: Basha nuk mbajti premtimet e veta. PD: Më i suksesshëm se Rama

22/04/2015 00:00

Partia Socialiste akuzoi kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha se nuk ka mbajtur premtimet që kishte bërë për Bashkinë e Tiranës, ndaj sipas saj, para se të shkojë të bëjë premtime në Vlorë, të përballet më parë me qytetarët e Tiranës.

“Lulzim Basha prezantoi sot një tjetër kandidat të PD dhe siç e ka zakon bëri të tjera premtime. Sepse Luli vetëm këtë di të bëjë. Di të premtojë, por nuk di të mbajë premtimet. Në katër vjet Lulzim Basha  nuk bëri asgjë për Tiranën. Nuk mbajti asnjë premtin, nuk bëri asnjë punë, por sot bredh nëpër Shqipëri duke premtuar zhvillim, punësim e investime lart e poshtë Shqipërisë. Lulzim Basha flet për përballje të opozitës me qeverinë në 21 qershor. Flet për përballje njeriu që nuk ka guxim as të përballet me qytetarët e Kryeqytetit për bilancin e punës së tij. Duhen veç pak sekonda për të pasqyruar se çfarë ka bërë Luli për Tiranën në katër vjet: Asgjë! Përpara se të bredhë lart e poshtë duke u prishur punë kandidatëve të Partisë Demokratike me praninë e tij, Lulzim Basha duhet të dalë sot e t’u tregojë qytetarëve të Tiranës e të mbarë Shqipërisë përse i iku si frikacak garës së Tiranës. Pas 21 qershorit, kur Tirana do të ketë sërish një kryetar bashkie që do t’i hapur rrugë mirëadministrimit, mirëqeverisjes, zhvillimit dhe normalitetit që kaq shumë ka munguar në këto 4 vjet, Lulzim Basha do ta kuptojë fare qartë edhe sesa rëndë ka dështuar”, deklaroi deputeti socialist, Ervin Bushati.

PD reagoi duke deklaruar se socialistët nuk i fshehin dot dështimet e qeverisjes. Opozita theksoi se bilanci i 4 viteve të Bashës në bashki është më pozitiv se e gjithë periudha e Ramës si kryebashkiak.

“Partia Socialiste nuk e fsheh dot dështimin në qeverisjen e vendit duke sulmuar Bashkinë. Eksodi, mjerimi dhe varfëria është arritja e deritanishme e kësaj qeverie. Bilanci i bashkisë është më pozitiv se i 8 viteve të qeverisë Rama. Lulzim Basha  i ka dhënë Tiranës vizionin e një qyteti modern dhe europian me Bulevard të ri, Terminal multimodal, transport modern pasagjerësh me tram, 200 projekte të realizuara në infrastrukturë, kopshte, shkolla e çerdhe, 25 mijë vende të reja pune, etj. Turpi i Edi Ramës, i deputetëve të Tiranës dhe i anëtarëve socialistë të Këshillit Bashkiak, është hakmarrja ndaj qytetarëve duke i privuar nga çdo investim nga hapja e vendeve të reja të punës gjatë qeverisjes së tyre.  Si kryebashkiak, Edi Rama mbahet mend për betonizimin. Si kryeministër do të mbahet mend për rikthimin e eksodit dhe kriminalizimin e administratës”, deklaroi Reila Bozdo, koordinatore e PD.

Top Channel