Rriten depozitat e qytetarëve dhe biznesit

22/04/2015 00:00

Agjencia e Sigurimit të Depozitave deklaroi se, kursimet totale në banka u rritën me 4.3 për qind vitin e kaluar, duke arritur në 1 triliard lekë. Kryetari Toni Gogu tha se, rritja ka ardhur si nga kursimet e familjeve, ashtu dhe nga ato të biznesit.

“Në përqindje, totali i depozitave të individëve është rritur me 2.2 për qind, ndërsa totali i depozitave të kompanive është rritur me 16 për qind. Në vlerë nominale janë respektivisht 20 miliardë dhe 24 miliardë”, deklaroi Toni Gogu, kryetar i ASD-së.

Për mazhorancën, kursimet e individëve tregojnë se, mirëqenia e familjeve u rrit vitin e kaluar, por opozita ka të tjera llogari.

“Rritja e depozitave të individëve me 20 miliardë lekë në vetëm një vit, apo 2.2 për qind, që është pothuajse sa rritja ekonomike e këtij vendi, tregon gjithashtu një gjendje më të mirë ekonomike të familjeve shqiptare”, deklaroi deputeti socialist Ervin Bushati.

“Nëse thoni se rritja e depozitave me 2.2 për qind, apo rreth 20 miliardë lekë, është një tregues i mirë, po ju them se është treguesi më i dobët në histori, që ka ndodhur në sistemin financiar të Shqipërisë. Dhe kjo nuk ka të bëjë me garancitë që ofron agjencia, por me një fakt tjetër, se sa qytetarët kanë mundësi të kursejnë”, u shpreh ish-ministri i Financave, Ridvan Bode.

Por një tjetër zhvillim i tregut, që ka shkaktuar debate të forta, është rritja e fortë e kursimeve të biznesit.

“Kjo tregon se masat e marra nga Qeveria, larja e borxheve nga Qeveria shqiptare për kontratat e papaguara ndaj firmave shqiptare, sidomos në sektorin e punëve publike, e kanë dhënë efektin e tyre. Këtë e provon rritja me 16 për qind e depozitave nga bizneset shqiptare”, shtoi më tej Ervin Bushati.

“Biznesi ka rritur depozitat në bankë me 16 për qind. Kjo është gjëja më e tmerrshme që mund të dëgjosh. Biznesi nuk është për të depozituar, por për të konsumuar. Për t’i marrë depozitat e qytetarëve dhe për t’i investuar. Rënia e investimeve përgjatë vitit 2014 ka çuar në këtë situatë, kur biznesi nuk i investon paratë e fituara, por i depoziton në pritje”, tha më tej deputeti i PD, Bode.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave siguron të gjitha kursimet individuale nën 2.5 milionë lekë, që sipas saj, vitin e kaluar zinin 96 për qind të totalit.

Top Channel