ERE: Unifikimi i çmimit të energjisë dha rezultat

22/04/2015 00:00

Kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti ka deklaruar se unifikimi i çmimit të energjisë elektrike ka dhënë rezultat në eleminimin e abuzimeve të gjeneruara sipas tij nga çmimi i aplikuar më parë, i ndarë në dy fasha.

Në raportin para deputetëve të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Ahmeti tha se shifrat në përqindje për tremujorin e parë të 2015 tregojnë se pjesa më e madhe e konsumatorëve konsumojnë mbi 300 kw/h energji.

“Sasia mesatare e konsumit sipas fashës, për vitin 2014 ishte 45.7%, deri në 300 kw/h dhe 54.3 mbi 300 kw/h. Ndërsa në tre mujorin e parë të 2015, 28.5% rezultojnë deri në 300 kw/h dhe 71.5% mbi 300 kw. Sigurisht që ky trend mbetet për t’u vlerësuar”, deklaroi Ahmeti.

Trajtimi i debive që konsumatorët familjarë kishin ndaj shtetit sipas Ahmetit ka përmirësuar treguesit e OSHEE-së por gjatë vitit 2014 humbjet për shkak të rrjetit të amortizuar kanë pësuar rritje.

“Në 2014 humbjet teknike janë 30%, pse?”, shtroi pyetjen deputeti demokrat Genc Ruli.

“Vijnë për shkak të sistemit të shpërndarjes, duhen investime”, sqaroi Ahmeti.

Kreu i ERE-s përsëriti dhe një herë që fundi i 2015-s synohet të jetë edhe periudha që do t’i japë fund faturimit aforfe të qytetarëve pas pajisjes së tyre në masën 100% me matësa.

Top Channel