PD akuzon Qeverinë: Po gjobit për të vjelur vota

22/04/2015 00:00

Partia Demokratike akuzoi mazhorancën se përmes presioneve ndaj biznesit po kërkon të sigurojë vota për zgjedhjet vendore.

“Inspektorët e shtetit janë në shërbim të partisë në pushtet, ku në mënyrë të organizuar favorizohen biznese të caktuara për t’u marrë votën për Lëvizjen Socialiste për Integrim. ‘LSI-në, LSI-në ndihmoje!’. Këto janë fjalët e grupit të inspektorëve të lojërave të fatit që kishin ngritur një grup mafioz të gjobave ndaj disa bizneseve dhe favorizimeve për vota për biznese të tjera” – deklaroi Oriela Nebiaj, zëdhënëse e Partisë Demokratike.

Opozita i kërkon Prokurorisë që të hetojë pretendimet e saj, ndërsa qytetarëve që të mos bien pre e presioneve.

“I bëjmë thirrje Prokurorisë që të hetojë deri në fund për të zbardhur deri në fund çdo përgjegjësi në këtë skemë mafioze të blerjes së votës e cila dënohet rëndë sipas ligjit shqiptar. U bëjmë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e presioneve mafioze nga bandat e veshura me pushtet, por t’i bashkohen referendumit popullor më 21 qershor për të rrëzuar oligarkinë Rama-Meta nga pushteti”, shtoi zëdhënësja e demokratëve.

Top Channel