Koka: Toka në Shqipëri, në gjendje alarmi

22/04/2015 00:00

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, në Ditën Botërore të Tokës ngriti alarmin për gjendjen në të cilën është katandisur toka në vendin tonë, sidomos nga erozioni.

“Në këto 25 vjet nuk është bërë asgjë për mbrojtjen e tokës, ndaj dhe nevojitet një angazhim i përgjitshëm”, tha ministri, duke u bërë apel qytetarëve që të kujdesen për vendin ku jetojnë.

Ndërkohë, deputeti Taulant Balla, duke vlerësuar punën e Ministrisë së Mjedisit bëri me dije se së shpejti kjo ministri do të nisë punën për pastrimin e Luginës së Shkumbinit nga mbetjet, një problem i rëndë mjedisor i ngritur edhe nga Top Channel.

Gjatë këtij aktiviteti u prezantua drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, ambientalisti Zamir Dedej. Sipas ministrit Koka, kjo agjenci përveç tokës do të kujdeset edhe për zonat e mbrojtura, duke i vënë ato në shërbim të qytetarëve dhe ekonomisë.

I pyetur për pezullimin e kompanisë turke “Kurum”, Koka tha se të gjitha kompanitë që shkelin normat mjedisore do të dënohen. Megjithatë, ai nuk pranoi të komentojë se si në matjet e deritanishme kompanitë që veprojnë në ish-kombinatin metalurgjik rezultojnë brenda normave.

Ministri nuk saktësoi nëse deri tani institucionet kanë fshehur të vërtetën apo nese “Kurum” ka filluar të ndosë mjedisin kohët e fundit.

Top Channel