Met Bega ndahet nga jeta. Fatkeqësisht, kontributi i tij artistik ishte ndërprerë 15 vite më parë, kur sëmundja e Parkinsonit vuri pushtet mbi trupin e tij.

Për fatin tjetër të keq, ngjarja e humbjes së aktorit të madh komik e riktheu në vëmendje të publikut, pasi prej vitesh ai jetonte në harresë. Politikanë, miq e kolegë nuk kanë hezituar të lavdërojnë e nderojnë jetën dhe kontributin e Met Begës, në këtë ditë zie. Ndonëse ishte harresa, e cila vriste pak nga pak, çdo ditë shpirtin e tij.

Met Bega ndihej i lënë mënjanë, ndërsa boshllëkun e jetës artistike përpiqej ta mbushte me kujtimet për skenën dhe humorin, që ai lëvroi. Të gjitha këto përjetime, ai i ka ndarë 4 vite më parë për “Pasdite në Top Channel”.

“Njerëzit më duan shumë. Më shohin në rrugë, më hidhen në qafë, ndërsa unë qaj”, është shprehur aktori i mirënjohur më 27 Tetor të vitit 2011.

Pavarësisht se sëmundja kufizoi aftësitë e tij interpretuese, Met Begës nuk iu shua kurrë dëshira dhe shpresa për të lënë kontribut artistik.

“Unë dua të bëj një film pantomimë, pa zë, si Ben Hill-i”, shprehte dëshirën e tij në po të njëjtën ditë të 4 viteve më parë.

Në një betejë të pamundur me Parkinsonin, Met Bega ndahet nga jeta në moshën 69-vjeçare, duke lënë pas një kontribut të madh në skenën dhe kinematografinë shqiptare. Ai kishte një karrierë 40-vjeçare si aktor dhe krijues komik, ndërsa rolet e tij në filma ishin ndër më të spikaturit.

Top Channel