Kosovë, Lumezi betohet si kryeprokurori i ri

22/04/2015 00:00

Kryeprokurori i ri i Kosovës, Aleksandër Lumezi ka bërë këtë të mërkurë betimin, me të marrë zyrtarisht detyrën në krye të Prokurorisë së Shtetit.

“Gjatë ushtrimit të funksionit tim do të sigurohem që të gjithë ata që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin të mos ndihen mirë dhe të qetë, pasi forca e ligjit dhe e shtetit do të zbatohet kundër tyre pa kompromis. Sundimi i ligjit dhe vënia e drejtësisë do të jenë udhërrëfyes për mua gjatë shtatë viteve të ardhshme”, deklaroi Lumezi.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me parardhësin Sylë Hoxha, Lumezi shpalosi prioritetet e punës së tij, që padyshim kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit, etj.

Ai kërkoi bashkëpunimin e prokurorëve dhe agjencive të tjera që zbatojnë ligjin, me qëllim që të krijojë një ambient të sigurt për qytetarët, investitorët vendorë e të huaj e ku të gjithë të ndihen të barabartë para ligjit, pavarësisht pozitës që kanë në shoqëri.

“Jam i gatshëm që të kontribuoj në çdo mënyrë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe çdo fenomeni tjetër që cënon raportet juridiko-shoqërore. Dhe do të bëj përpjekje maksimale për të pasur sukses. E di që është një punë e vështirë dhe që na presin detyra të mëdha, por ne duhet të ndërtojmë një shtet ligjor ku sundon ligji dhe ku qytetarët e këtij vendi do të ndihen mirë dhe më të sigurt”, tha Lumezi.

Tani duket se përplasjet e fundit që dolën edhe në publik mes tij dhe Hoxhes janë tejkaluar. Ushtruesi i detyrës i kryeprokurorit deri dje, Sylë Hoxha uroi kryeprokurorin e ri për detyrën dhe i ofroi atij bashkëpunim në arritjen e rezultateve të premtuara.

“Pa dyshim që kryeprokurorin Lumezi e presin shumë sfida në realizimin e objektivave të tij. Realizimi i këtyre objektivave dhe tejkalimi i këtyre sfidave kërkojnë përkrahje dhe mbështetje dhe Lumezi do ta ketë mbështetjen tonë në këtë drejtim. Ju uroj mbarësi dhe sukses në punën tuaj, duke besuar fuqishëm se gjatë mandatit si kryeprokuror i shtetit do të ngrini edhe më lartë rezultatet në luftimin e krimit dhe sundimit të ligjit në Kosovë”, tha Hoxha.

Aleksandër Lumezi vjen në krye të Prokurorisë së Shtetit në një kohë kur Kosova ballafaqohet me një sundim të dobët të rendit dhe ligjit. Ndërkaq, akuzat për korrupsion dhe vepra të tjera penale kanë përfshirë edhe vetë institucionin që ai do të drejtojë.

Top Channel