Nishani: Marrëveshja me SHBA, jetike për paqen në rajon

22/04/2015 00:00

Presidenti Bujar Nishani ka përshëndetur të mërkurën nënshkrimin në Uashington të Deklaratës së Përbashkët për Partneritet Strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Nishani e ka konsideruar atë një dokument shumë të rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, intensifikimin e dialogut politik në të gjitha çështjet me interes strategjik, si dhe një instrument inkurajues për paqen dhe sigurinë në Ballkanin perëndimor.

“Në emër të qytetarëve shqiptarë shpreh mirënjohjen e thellë për mbështetjen e gjithanshme që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë ndër vite, për vendosjen dhe konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, për realizimin e aspiratës sonë evropiane, si dhe për forcimin e rolit konstruktiv e stabilizues që Shqipëria ka luajtur dhe vazhdon të ketë në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Nishani në një deklaratë për shtyp.

Kreu i shtetit ka vlerësuar se, falë mbështetjes “së pakursyer” të Shteteve të Bashkuara, sot Shqipëria dhe i gjithë kombi shqiptar janë më të sigurt, më të zhvilluar dhe kanë një perspektivë shpresëplotë evropiane.

“Kjo deklaratë e përbashkët, përveçse njeh ndërsjelltas partneritetin strategjik mes dy vendeve tona, inkurajon dhe vendos përpara përgjegjësive të reja shtetin shqiptar, jo vetëm për t’i qëndruar besnik këtij angazhimi, por për të bërë përpjekje shumë më të mëdha e serioze për të qëndruar në lartësinë e këtij partneriteti”, ka vijuar Nishani.

Presidenti ka vënë më tej në dukje se, Shqipëria dhe SHBA, si dy vende aleate në NATO, pas nënshkrimit të këtij dokumenti do të rrisin e forcojnë më shumë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, si në nivel dypalësh e rajonal, ashtu edhe në nivel global.

“Me mbështetjen e vazhdueshme dhe në partneritet me Shtetet e Bashkuara, Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë misionet e ardhshme të NATO-s dhe të jetë kontribuese aktive për sigurinë globale”, ka shtuar Nishani.

Top Channel