Dita e energjisë së rinovueshme është e afërt

22/04/2015 00:00

Toka është shtëpia jonë e vetme dhe e përbashkët, që me dallgën e zhvillimeve të furishme industriale dhe teknologjike po humbet dita-ditës nga vetja.

Shkak për ndotjen më të madhe, sipas shkencëtarëve, është nevoja gjithnjë e në rritje e njerëzimit për burime energjitike. Të tilla sot janë kryesisht burime që vijnë me një kosto të madhe; ndotjen e lartë që shkaktojnë në tokë, ujë dhe ajër.

Për të reduktuar këtë ndotje, gjithnjë e më shumë po ngrihet zëri prej komunitetit të shkencëtarëve dhe prej organizatave ambientaliste që të investohet më shumë për burimet e rinovueshme të energjisë, si era dhe Dielli.

E në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë deklaron se dita kur energjia e siguruar nga burime të rinovueshme me kosto zero për ambientin, do të jetë burim kryesor energjitik për njerëzimin është e afërt.

Me të afërt Agjencia nënkupton vitin 2040, pra rreth 25 vjet, që për skeptikët është e tepruar, ndërsa për kritikët një afat i largët. Por për shkencëtarët dhe ata që njohin e studiojnë ndër vite ndryshimet në burimet energjitike në historinë e njerëzimit, ky afat është mëse objektiv.

“Tranzicionet e burimeve energjitike kërkojnë kohën e tyre. Qymyrit iu deshën më shumë se 50 vjet që të tejkalonte drurin dhe gazit e naftës iu deshën 50 të tjera që të tejkalonte qymyrin”, thotë për revistën “Scientific American” profesori Vaclav Smil.

Burimet e rinovueshme të energjisë si era, rrezet diellore dhe uji janë përparësi për shumë qeveri të vendeve të zhvilluara, ndërkohë që prej 2009 qarkullon një plan global për sigurimin e gjithë energjisë që ka nevojë njeriu nga këto tre burime.

Top Channel