Arrivabene u thur lavde Vettelit e Rossit: Nuk dorëzohen kurrë

22/04/2015 00:00

Ata të dy po kalojnë një moment tepër të mirë, edhe pse nuk janë kolegë apo rivalë.

Bëhet fjalë për Valentino Rossin, i cili me dy fitore në tre garat e fundit ka siguruar kryesimin e Botërorit të MotoGP, teksa italiani duket se po përjeton një rini të dytë duke synuar titullin e dhjetë kampion bote; si dhe për Sebastian Vettel, i cili pasi ka siguruar një triumf dhe 3 podiume në 4 garat e para me Ferrarin, i ka rikthyer gjallërinë “kokëkuqes” me energjitë pozitive të tij.

Sigurisht që jemi në sporte të ndryshme, gara me motorë dhe ato të automobilizmit. Por këta të dy janë personazhe, të cilët karakterizohen nga një fillim tepër pozitiv i karrierës sportive. Çfarë kanë të përbashkët përveç sukseseve të arritura deri më tani?

Është pikërisht drejtori teknik i Ferrarit, Maurizio Arrivabene, ai që i përshkruan më së miri…

“Janë të dy kampionë të mëdhenj. Kanë një dëshirë tepër të madhe për të qëndruar përpara të gjithëve, por edhe për të punuar me përqëndrim të madh së bashku me inxhinierët respektivë. Ata nuk dorëzohen kurrë, gjë që i bën të ndryshëm prej të tjerëve, pikërisht sepse kanë klas”.

Top Channel