Sejko: Në 2015, rritja ekonomike më e madhe

22/04/2015 00:00

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko ka deklaruar në një intervistë për Zërin e Amerikës, se rritja ekonomike për këtë vit do të jetë më e lartë se vitet parardhëse.

“Rritja ekonomike vitin e kaluar ishte 1.9 për qind, më e madhe se në vitin 2013. Ndërsa në vitin 2015 parashikohet të ketë një rritje ekonomike rreth 3 për qind”, ka deklaruar Sejko.

Sa i përket mungesës së rënies së kredive të këqija në tregun shqiptar, numri një i Bankës së Shqipërisë ka nënvizuar se ka një plan për ristrukturimin e sistemit të kredive.

VOA: Zoti guvernator, rritja ekonomike vitin e kaluar ishte 1.89 për qind, më e ulët nga objektivi prej 2.1 për qind. Cilat janë problemet e ekonomisë shqiptare?

Genti Sejko: Është e vërtetë që rritja vitin e kaluar ishte 1.89 apo 1.9 për qind. Por nuk ka rëndësi presja dhjetore. Rëndësi ka që në vitin 2014 rritja ishte më e madhe se në 2013. Ndërkohë, BSH në bashkëpunim me FMN parashikojnë një rritje prej rreth 3 për qind për vitin 2015. Por ekonomia shqiptare has shumë sfida sikurse dhe vendet e rajonit. Aktualisht kemi probleme që lidhen me klimën e investimeve, besimin e konsumatorëve dhe nivelin e konsumit. Gjithashtu, problemet që sot janë në ekonominë greke nuk mund të mos ndihen në ekonominë shqiptare. Ky është një element që mund të ketë impakt negativ në rritjen e vitit 2015. Ekonomia shqiptare ka pasur impakt negativ edhe nga niveli i ulët i kreditimit. Presim që këtë vit bankat dhe sistemi bankar të jenë më aktive.

VOA: BSH ka ndërhyrë 13 herë për të ulur normën bazë e interesit, por nxitja e kreditimit nuk ka ndodhur. Çfarë rruge do të zgjidhni ju?

Genti Sejko: Është e vërtetë që BSH ka ulur disa herë rresht normën bazë të interesit, në përputhje me strategjinë e saj për një politikë monetare lehtësuese. Ne do ta vijojmë këtë politikë gjatë 2015. Është e vërtetë që nuk ka pasur rritje të kreditimit në nivele të larta, por ka pasur një rritje gjatë vitit 2014 në nivelin 4.6 për qind dhe kjo rritje ka ardhur si rezultat i politikës monetare të BSH dhe uljes së normës së interesit në nivelin historik 2 për qind.

VOA: A është kjo një tendencë e qëndrueshme apo sezonale?

Genti Sejko: Kjo është një tendencë afatgjatë e qëndrueshme, mund të jetë sezonale për tremujorin e parë të vitit 2015, sepse nuk kemi një rritje kreditimi sa pritshmëria. Kjo ndodh çdo fillim viti, pasi vetë bizneset dhe bankat për financim nuk janë shumë aktive, pasi është një periudhë që përkon me mbylljen e bilanceve. Periudhat e tjera të vitit, sidomos 3-mujori i dytë, gjithmonë shoqërohen me rritjen më të lartë të kreditimit dhe rritjen ekonomike.

VOA: Shlyerja e borxheve ndaj biznesit pritej të sillte uljen e kredive të këqija, por kjo nuk ndodhi

Genti Sejko: Kjo shlyerje e detyrimeve nuk ka pasur impakt të ndjeshëm në kredinë e keqe, por në rast se nuk do të ishte bërë, atëherë kredia e keqe do të ishte edhe më e lartë. Bizneset kanë pasur nevojë për likuiditet dhe shlyerja e detyrimeve ka qenë një hap shumë pozitiv që i ka dhënë frymëmarrje biznesit, pavarësisht ndikimit të ulët tek kreditë e këqija.

VOA: Pas misionit të fundit të FMN, ju dhe ministri i Financave u angazhuat për hapa konkretë për uljen e kredive të këqija. Ku qëndron situata?

Genti Sejko: Ne kemi pasur takime me drejtuesit e bankave të nivelit të dytë, kemi dhënë gjithë suportin tonë për problemet e tyre në raport me anën ligjore e rregullative, ndërsa si BSH presim që bankat të jenë më proaktive në drejtim të drejtimit të portofoleve të kredive të këqija. Praktikisht ka një plan masash që lidhet me ristrukturimin e kredive, fshirjen e tyre nga bilancet, por një rol të rëndësishëm në këtë aspekt ka edhe drejtësia. Rezulton se rastet problematike mbeten në gjykata dhe ka një shtyrje në afate kohore që ndikon negativisht në kthimin e parasë kesh tek bankat e nivelit të dytë.

VOA: A jeni të përgatitur për një dalje eventuale të Greqisë nga Eurozona?

Genti Sejko: Ne kemi monitoruar situatën dhe bankat greke nuk kanë lidhje me shtetin mëmë. Ato janë likuide dhe ne nuk u kemi bërë asnjë thirrje atyre sepse nuk ka arsye. Nga ana tjetër kemi marrë masa që bankat greke të jenë imune ndaj krizës greke dhe operojnë në Shqipëri si banka më vete. Ndaj, kriza greke nuk do të kishte një impakt të fortë ndaj këtyre bankave. Ato janë me vetëfinancim dhe biznesin e kryejnë në Shqipëri. Në këto kushte nuk shohim rreziqe konkrete. Por gjithësesi ndikim do të kishte.

Top Channel