Basha: Eksodi, sinteza e keqqeverisjes. 21 qershori, dita e shpresës

22/04/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat të mbajtur pasditen e së mërkurës ka hedhur sërish akuza ndaj koalicionit qeverisës për eksodin e fundit të shqiptarëve.

Në fjalën e tij, Basha ka thënë se eksodi është dëshmia më e mirë e keqqeverisjes Rama-Meta, e cila sipas tij ka dështuar tërësisht në mbajtjen e premtimeve.

“Eksodi i ditëve të sotme përmbys historinë e sukseseve të arritura gjatë qeverisë së kaluar. Vetëm në muajt e fundit ka pasur 16 mijë kërkesa për azil dhe përgjegjëse për situatën është dyshja Rama-Meta”, ka deklaruar Basha.

Basha ka theksuar se, faktorët që po çojnë qytetarët drejt eksodit janë varfëria dhe papunësia, të instaluar sipas tij nga qeverisja aktuale e premtimeve të mëdha.

“Qeveria euforike e premtimeve të mëdha ka dështuar. Eksodi është sinteza e keqqeverisjes Rama-Meta. Sot më keq se dje dhe nesër më keq se sot është perspektiva me këtë qeveri”, ka thënë Basha.

Më tej ai ka akuzuar krerët e koalicionit qeverisës se tallen me qytetarët, shpërfillin problemet dhe përqeshin partnerët ndërkombëtarë.

Nga ana tjetër, kreu i partisë më të madhe të opozitës ka nënvizuar se ky subjekt politik ka ofertën më të mirë për ndryshimin e situatës, duke ftuar qytetarët që të votojnë djathtas në zgjedhjet e 21 qershorit.

Top Channel