Arbana Xharra, një çmim amerikan për “guximin”

22/04/2015 00:00

Arbana Xharra është një ndër 10 femrat e vlerësuara me çmimin “Gra të guximshme” nga Sekretari amerikan i Shtetit.

Ceremonia e përvitshme e këtij çmimi prestigjioz nderon femrat nga mbarë globi, të cilat kanë treguar guxim dhe udhëheqje të jashtëzakonshme në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, barazinë gjinore dhe progresin social, shpesh duke rrezikuar sigurinë personale.

Kryeredaktorja e gazetës “Zëri” në Kosovë u vlerësua për raportimet e bëra për çështjet, që lidhen me ekstremizmin fetar. Arbana, prej gati 15 vitesh është përkushtuar në gazetarinë investigative.

Tema që lidhen me korrupsionin në shtetin e brishtë të Kosovës, e problemet sociale të tranzicionit pas luftës kanë bërë, që gazetarja të përballet edhe me kërcënime për jetën. Megjithatë, ende asgjë nuk e ka ndalur gazetaren e guximshme.

Grabitja e shtëpisë, përndjekjet me makinë, mesazhet kërcënuese kanë vënë në rrezik edhe familjen e saj. Ajo është detyruar të ndërrojë edhe shkollën e fëmijëve, për shkak të këtij realiteti. Vlerësimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duket se i ka dhënë edhe më shumë guxim gazetares nga Kosova.

Top Channel