Parma bie në Serie B, blerësit të ri i mundësohen 10 mln euro bonus

22/04/2015 00:00

Duke nisur nga Maji, Parma do të dalë në shitje me një çmim që lëkundet mes 6 dhe 20 mln euro, por blerësi do të jetë i detyruar të “arkivojë” një penalitet: rënien një kategori më poshtë, duke marrë kështu edhe një bonus prej 10 mln eurosh.

Lajmi është publikuar pas një takimi të zhvilluar në zyrat e Ligës italiane të Futbollit për Serie A, mes përgjegjësit të falimentimit të Parmës, Alberto Guiotto, dhe drejtorit të përgjithshëm të Ligës, Marco Brunelli.

Kjo procedurë është e parashikuar në rregulloren e “Lega Serie A”, të cilën askush nuk mund ta sfidojë. Sipas saj, ekziston edhe mundësia që blerësi i ri të dalë me një fitim prej 4 mln eurosh, nëse arrin ta blejë klubin për shifrën minimale të 6 mln eurove, shto këtu 10 mln euro bonus për “rënien automatike”.

Përmes faqes zyrtare të klubit, Parma ka komunikuar se ka marrë sigurinë nga Liga italiane e Futbollit, në lidhje me disponibilitetin e “rënies së lirë”. Gjatë takimit në zyrat e Ligës, është bërë ekzaminimi qoftë i situatës së borxheve të Parmës ndaj Ligës, ashtu edhe për efektivitetin e transfertave të kredive, të bëra në të kaluarën nga administratorët e shoqërisë.

Më thjeshtë, blerësi i ri do të përballet me detyrimet sportive dhe do të regjistrohet në “Serie B”.

Top Channel