BE akuzon Gazpromin: Abuzim me tregjet, ka dëmtuar konkurrencën

22/04/2015 00:00

Komisioni Europian akuzon zyrtarisht Gazpromin për abuzim me pozicionin dominant në tregjet e dedikuara për gazin natyror në Europën Qendrore dhe Lindore. Sipas shqyrtimeve paraprake, gjiganti rus i energjisë ka shkelur rregullat antimonopol të BE-së.

KE ka shtuar se Gazpromi rus mund të ketë kufizuar aftësitë e klientëve të tij për të rishitur gazin, duke lejuar vendosjen e çmimeve potencialisht të padrejta të gazit në disa vende anëtare të BE-së.

Gazpromi ka reaguar menjëherë, duke refuzuar këtë verdikt të Komisionit, e duke e quajtur atë “të pabazë”.

“Gazpromi u përmbahet rreptësisht të gjitha normave të ligjit ndërkombëtar dhe legjislacionit kombëtar, në vendet ku kjo kompani zhvillon biznesin e saj”, shkruhej në deklaratën e kompanisë. E megjithatë, gjigantit rus do t’i vihen në dispozicion 12 javë kohë për t’iu përgjigjur akuzave të Komisionit Europian.

Kjo lëvizje mund të dëmtojë edhe më tej marrëdhëniet me Moskën, lidhje që janë dëmtuar ndjeshëm që prej krizës në Ukrainë. Brukseli e ka nisur këtë hetim ndaj Gazpromit në pronësi të shtetit rus rreth 3 vite më parë, por Moska thotë se akuzat e KE-së janë të motivuara politikisht.

Shefja e re e BE-së kundër Monopoleve, Margrethe Vestager, tha se Komisioni ka arritur në konkluzionin se Gazpromi “mund të ketë krijuar barriera artificiale, të cilat parandalojnë rrjedhjen e gazit nga disa vende të Europës Qendrore drejt disa të tjerave, duke penguar konkurrencën ndërkufitare. Duke i mbajtur tregjet kombëtare të gazit të ndara, Gazpromi i lejon vetes të vendosë çmime, të cilat në këtë moment ne i konsiderojmë si të padrejta. Nëse shqetësimet tona do të konfirmohen, Gazpromi do të përballet edhe me pasoja ligjore për sjelljen e tij”.

Autoriteti i Konkurrencës së Brukselit ka tagrin për të vendosur gjoba deri në 10% të të ardhurave globale të Gazpromit.

Top Channel