Rritja e kreditimit për bujqësinë; Qeveria, fond garancie për bankat

22/04/2015 00:00

Për të rritur kreditimin në sektorin bujqësor, Qeveria do të vendosë një pjesë të fondeve shtetërore në dispozicion të bankave, si fond garancie.

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti thotë se kjo do të bëjë të mundur rritjen e sipërfaqeve me serra, që do të mbështeten drejtpërdrejt nga shteti në masën 60%, duke katërfishuar apo pesëfishuar prodhimin bujqësor.

“Kemi vendosur që një pjesë e fondeve shtetërore të vihen edhe si fonde të garancisë në dispozicion të bankave, në mënyrë që ato të injektojnë shumë më tepër parà nga ç’mund të injektojmë ne me fondet e buxhetit të shtetit. Për një njësi monetare, që ne vendosim si fonde garancie, arrijmë të gjenerojmë 4 herë apo 5 herë më tepër fonde në dispozicion të fermerëve. Në këtë mënyrë, ne mund të bëjmë të mundur rritjen e sipërfaqeve me serra”, u shpreh ministri Edmond Panariti.

“Mendoj që këtu ka një potencial shumë më të madh, të paeksploruar, për të ndërtuar paketa të përbashkëta inovative, të përziera ndërmjet Qeverisë me politikat tona dhe fondin tonë të subvencioneve, dhe produkteve të sistemit bankar, sepse nuk është vetëm forma e garancisë së kredisë, e cila ka edhe risqet e veta”, theksoi zv.kryeministri Niko Peleshi.

Ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani thotë se, krahas mbështetjes financiare, Italia është e gatshme të ofrojë ndihmën e saj në drejtim të formimit profesional dhe përmirësimit të teknologjisë dhe inovacionit në sektorin bujqësor.

Top Channel