Mark Frroku, probleme me zemrën, dërgohet në Spitalin e Burgut

22/04/2015 00:00

Deputeti Mark Frroku, ndaj të cilit Gjykata e Lartë vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” pas kërkesës së Prokurorisë si i dyshuar autor i një vrasjeje të ndodhur në Belgjikë, u dërgua në Spitalin e Burgut në Tiranë.

Burime nga Drejtoria e Burgjeve pohojnë se deputeti Frroku ëshë shoqëruar menjëherë në spital pas problemeve shëndetësore që ka shfaqur me zemrën.

Mësohet se pas analizave të mjekëve, gjendja e deputetit paraqitet e qëndrueshme dhe ai do të mbahet në spital edhe për disa orë të tjerë për të qenë nën vëzhgim.

Gjykata e Lartë vendosi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për deputetin Frroku në fillim të këtij muaji.

Pas dhënies së vendimit, avokatët mbrojtës u shprehën për mediat se janë të befasuar nga dhënia e kësaj mase sigurie. “Arrestimi i klientit tonë është i paligjshëm, pasi për të nuk ka asnjë provë”, thanë avokatët mbrojtës.

Në seancë organi i akuzës paraqiti akte me të cilat avokatët mbrojtës të Frrokut nuk ishin njohur më parë, ndersa për deputetin u kërkua masa e sigurisë “arrest me burg”. Përveç akuzës për vrasje që bëhet nga drejtësia e shtetit belg, ndaj Frrokut u ngritën dy ditë më parë edhe dy akuza të reja; njëra për pastrim parash dhe tjetra për refuzim të deklarimit të pasurisë.

Top Channel