Itali, Renzi: BE të ndajë përgjegjësitë e krizës së emigrantëve ilegalë

22/04/2015 00:00

Bashkimi Europian duhet të ndërmarrë një qëndrim kolektiv për të trajtuar trafikimin e paligjshëm të emigrantëve që nga vendburimet në vendet afrikane. Kështu është shprehur kryeministri italian, Matteo Renzi, gjatë së mërkurës, përpara një samiti urgjent të udhëheqësve të bllokut për të diskutuar mbi krizën e ditëve të fundit.

Afro 900 vetë humbën jetën teksa anija e tyre u mbyt në rrugëtimin drejt Europës nga Libia, përgjatë fundjavës, përfshi këtu shumë gra dhe fëmijë të bllokuar në kuvertën e anijes, gjë që ka nxitur thirrjet e udhëheqësve europianë për një veprimtari të përbashkët në ndaljen e fluksit të emigrantëve, të cilët po u largohen zonave të nxehta të luftës në Afrikë.

Vdekjet shkaktuan një shok të përgjithshëm në Europë, ku vendimi për të pakësuar operacionet detare gjatë vitit të kaluar duket se ka shtuar rrezikun e emigrantëve, pa reduktuar numrin e tyre.

Zyrtarët e Bashkimit Europian, të shqetësuar nga ky inkurajim i njerëzve për të kaluar nga vendet e Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme drejt Europës, por edhe për shqetësimet ekonomike në disa prej vendeve europiane që rrisin kështu mërinë ndaj emigrantëve, kanë vuajtur në gjetjen e një përgjigjeje të duhur ndaj kësaj krize, por gjatë së hënës propozuan dyfishimin e operacioneve detare të shpëtimit.

Renzi tha se BE duhet të ketë një rol më të qartë së bashku me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara, sidomos në vendet e zonës subsahariane, nga ku vijnë zakonisht emigrantët, duke i bërë thirrje bllokut europian për një “investim afatgjatë” në Afrikë.

“Ne kërkojmë që kjo të jetë çështje prioritare për BE-në, që kërkon të jetë diçka më ndryshe nga thjesht një grup vendesh në një klub ekonomik, diçka ndryshe nga një klub teknicienësh të zotë, që dinë të gjitha dinamikat gjeopolitike dhe harrojnë t’u përgjigjen dhimbjeve të kohëve tona”, tha ai përpara Parlamentit.

Renzi, i cili shpesh nxiste Europën të ndante më shumë përgjegjësi për përballimin e krizës së emigrantëve, tha se tragjeditë e fundit kanë galvanizuar vëmendjen e botës dhe është dukur tepër optimist se blloku do të “ndryshojë qëndrim” ndaj kësaj çështjeje.

Top Channel