Nigeri, ofensivë e ushtrisë ndaj bazave të fundit të Boko Haram

23/04/2015 00:00

Forcat ushtarake nigeriane kanë nisur një ofensivë tokësore, e cila ka si synim të godasë bazat e militantëve të Boko Haram, ka thënë një zëdhënës i ushtrisë vendase për BBC.

Bazat kryesore të Boko Haram gjenden në Sambisa, një pyll i madh në verilindje të vendit që ka qenë një prej objektivave kryesore të sulmeve ajrore që prej muajit shkurt. Dyshohet se disa prej nxënësve të rrëmbyr në Chibok rreth një vit më parë mbahen aty.

Militantët e Boko Haram kanë vrarë më mijëra persona në veri të Nigerisë që nga viti 2009. Forcat ushtarake vendase, të mbështetura edhe nga trupa të vendeve fqinje, filluan një ofensivë kundër terroristëve në muajin shkurt të këtij viti, duke rimarrë nën kontroll sipërfaqe të mëdha që mbaheshin nga militantët. Disa nga pengjet të cilët kanë arritur të arratisen kanë thënë se janë mbajtur në kampet e terroristëve në pyllin në Sambisa.

Presidenti në largim i Nigerisë, Goodluck Jonathan është kritikuar gjerësisht se nuk ka reaguar mjaftueshëm për t’i dhënë fund konfliktit. Ndërsa së fundi qeveria ka premtuar se do të shtypë Boko Haram deri në fund të majit.

Rreth tre milion persona janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre që nga 2009, kur Boko Haram nisi kryengritjen për të krijuar Shtetin Islamik. Qindra të tjerë janë rrëmbyer, duke përfshirë edhe 200 vajza të rrëmbyera nga një shkollë në qytetin Borno gjatë prillit të vitit të kaluar.

Top Channel