‘Ukraina’, SHBA akuzon Rusinë për shkelje të marrëveshjes së Minskut

23/04/2015 00:00

Shtetet e Bashkuara akuzuan Rusinë të mërkurën për ndërtimin e sistemeve mbrojtëse ajrore në lindje të Ukrainës.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha gjithashtu se Rusia ishte përfshirë në trajnimin e forcave separatiste në shkelje të marrëveshjes së armëpushimit të arritur ndërmjet Ukrainës dhe rebelëve pro-rusë me ndërmjetësimin e Perëndimit në muajin shkurt.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Marie Harf, tha në një deklaratë se forcat ruse në bashkëpunim me separatistët kanë shkelur kushtet e marrëveshjes së Minskut, duke mbajtur armatime të rënda në zona të ndaluara.

“Ushtria ruse ka vendosur sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore në Ukrainën Lindore dhe disa nga këto janë zhvendosur më afër vijës së frontit. Gjithashtu Rusia po organizon forcat e saj përgjatë kufirit me Ukrainën. Prania e forcave rusë përgjatë kufirit është shtuar ndjeshëm së fundmi duke qënë më e larta që prej tetorit të 2014-ës”, tha Harf.

Më herët gjatë këtij muaji, rreth 300 ushtarë amerikanë mbërritën në Ukrainë për të trajnuar trupat e Gardës Kombëtare vendase. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, e cilësoi këtë lëvizje si një kërcënim serioz për destabilizimin e situatës në Ukrainë.

Një nga pikat kryesore të marrëveshjes së Minskut përcakton tërheqjen e të gjitha grupeve të armatosura të huaja, armëve dhe mercenarëve, nga territori ukrainas.

OKB thotë se mbi 6100 persona janë vrarë që prej fillimit të luftimeve prillin e vitit të kaluar në Donetsk dhe Luhansk.

Top Channel